Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, ka ngritur një sërë shqetësimesh gjatë seancës së Kuvendit Komunal, duke kërkuar përgjigje nga kryetari i komunës dhe drejtoritë përkatëse për disa çështje që lidhen me shpenzimet publike, arsimin, infrastrukturën dhe shërbimet komunale.
Murseli ka thënë se grupi i PDK-së, para rreth dy muajsh, ka dorëzuar tri kërkesa për auditim, por sipas tij ende nuk ka marrë përgjigje.
“Po bëhen tash e 2 muaj që si grup i PDK-së kemi dërguar tri procese për Auditimin dhe asnjë përgjigje”, ka shkruar Murseli.
Ai ka ngritur dyshime edhe lidhur me një pagesë prej 2 mijë eurosh për një familjar të një anëtari të zyrës, për të cilën ka thënë se ishte bërë për “Hartimin e Projektit Landscape për Revitalizimin e Oborrit të një shkolle publike në FK”.
Murseli ka pretenduar se në disa procese ka dyshime për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit”, duke përmendur projektet për digjitalizim dhe pompa termike.
Sa i përket projektit për pompa termike, ai ka pretenduar se vlera e tij është rritur nga 800 mijë euro në 1.1 milion euro dhe më pas në 1.47 milion euro.
“Po në vend se këto kritere të hiqen, Pushteti bëri të kundërtën! Shkon dhe e rrit vlerën e këtij projekti nga: 800 mijë – 1.1 milion – 1.47 milion”, ka shkruar ai.
Murseli ka ngritur pyetje edhe për arsyen e kësaj rritjeje, duke pretenduar se në projekt nuk do të vendosen radiatorë.
“Qka ndryshoj kaq shumë? Pse kjo shumë u rrit dyfish, kur në këtë projekt nuk do të vendosen as RADIATORET?”, ka deklaruar ai.
Asamblisti i PDK-së ka paralajmëruar se për këto çështje do t’u drejtohet organeve të drejtësisë.
“Për të gjitha këto raste në ditët në vazhdim do t’ju drejtohemi organeve të drejtësisë dhe ju bëj thirrje anëtarëve të komisioneve të keni kujdes në vlerësim sepse do të thirreni në përgjegjësi”, ka shkruar Murseli.
Në një pjesë tjetër të diskutimit, ai ka ngritur pretendime për nepotizëm në Ndërmarrjen Lokale të Fushë Kosovës. Murseli ka thënë se në konkursin e fundit ka parë persona të përzgjedhur në pozita të rëndësishme, të cilët, sipas tij, janë familjarë të zyrtarëve të ekzekutivit dhe ish-drejtorëve të ish-pushtetit.
Për Drejtorinë e Arsimit, Murseli ka kërkuar përgjigje për disa çështje që lidhen me mungesën e arsimtarëve në shkollën “Mihal Grameno”, përfshirë arsimtarët e gjuhës angleze për klasën e tetë dhe të matematikës për klasën e nëntë.
Ai ka ngritur pyetje edhe për situatën në “Aneksin 3”, si dhe për kohëzgjatjen e qëndrimit të fëmijëve në kopshtin e ri.
“Ky qëndrim në këtë kopsht është vetëm 2 orë – a është e vërtetë dhe kur pritet qëndrim me orar të rregullt”, ka shkruar ai.
Murseli ka kërkuar gjithashtu informacion nëse janë ekzekutuar pagat e punëtorëve teknikë dhe nëse kalimi i tyre në ndërmarrjen lokale ka bazë ligjore.
Ndër kërkesat e tij ka qenë edhe rritja e buxhetit për subvencionimin e transportit për fëmijët në qytet, duke theksuar se kostoja për një fëmijë është 25 euro.
Në fushën e shërbimeve publike, Murseli ka kërkuar që të nisë sa më shpejt një projekt për rregullimin e kanalizimit në objektin afër Gjykatës, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje edhe në ndriçimin publik në disa rrugë.
“Për ndriçim publik – ju kom dërgu me dhjetëra rrugë ku duhet të intervenohet sepse jemi në sezonën e Vjeshtës, terrohet më herët dhe ju bjen fëmijëve të lëvizin gjatë natës”, ka shkruar ai.
Në lidhje me infrastrukturën, asamblisti ka kërkuar të shqyrtohet mundësia e zgjerimit të rrugës përgjatë hekurudhës që lidhet me nënkalimin e Lismirit, ndërsa, nëse kjo nuk është e mundur, ka propozuar që rruga të bëhet njëkahore.
Ai ka kërkuar gjithashtu fillimin e shënjimit të rrugëve, duke e veçuar segmentin nga hyrja e Sllatinës në drejtim të Grabovcit, të cilin e ka cilësuar si të ngarkuar dhe të errët.
Murseli ka kërkuar nga Komuna edhe informacione për fazën në të cilën ndodhet projekti për objektin e Njësisë së Zjarrfikësve, për të cilin ka thënë se është nevojë e madhe për Fushë Kosovën.
Në fund, ai ka kërkuar nga kryetari i komunës informacione për udhëtimet jashtë vendit gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, duke kërkuar të bëhen të ditura qëllimet dhe përfitimet e këtyre takimeve. /Telegrafi/