Policia ka regjistruar gjithsej 10.411 kundërvajtje në trafik nga maji deri në gusht, gjatë kontrolleve të përforcuara ndaj drejtuesve të trotinetave elektrike, biçikletave, motoçikletave, mopedeve, triçikletave dhe katërçikletave.
Sipas MPB-së, numri më i madh, 7.303 kundërvajtje, janë për drejtim pa helmetë mbrojtëse. Janë evidentuar edhe 718 raste të drejtimit në sipërfaqe të papërshtatshme, 401 mjete të paregjistruara ose të pasiguruara dhe 322 raste të mosmbajtjes së jelekut reflektues.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe 619 vepra penale, kryesisht drejtim i automjetit pa patentë shoferi.
Policia ka sekuestruar gjithsej 423 mjete, prej tyre 20 trotinetë elektrikë dhe 403 motoçikleta, mopedë e triçikleta.
MPB njofton se kontrollet e përforcuara do të vazhdojnë.