Në prag të festave të Nëntorit, monumenti simbolik “PRESHEVA” në Luginën e Preshevës është zbukuruar me një pamje të re, kushtuar historisë dhe figurave të shquara të kombit shqiptar.
Nën moton “NëntorLugine”, monumenti është pajisur me portretet e personaliteteve që kanë dhënë kontribut në historinë dhe çështjen kombëtare shqiptare, duke e kthyer atë në një simbol të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar.
Secila shkronjë e emrit “PRESHEVA” përfaqëson një figurë të njohur të historisë shqiptare. Në shkronjën P është vendosur portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në R ai i Abdyl Frashërit, ndërsa në E portreti i Ismail Qemalit.
Shkronja S përfaqëson Idriz Seferin, H-në e përfaqëson Hasan Prishtina, ndërsa shkronja e dytë E mban portretin e Parashqevi Qiriazit. Në shkronjën A është vendosur portreti i Ibrahim Kelmendit.
Një element tjetër i veçantë është zemra e kuqe, e vendosur në hapësirën e shkronjës V, e cila mban shqiponjën dykrenare dhe mbishkrimin “Nëntor Lugine”.
Përmes këtij koncepti simbolik, Presheva sjell në vëmendje figurat që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare, duke përcjellë mesazhin e ruajtjes së kujtesës kombëtare dhe trashëgimisë historike.
Monumenti pritet të jetë një nga pikat simbolike të atmosferës festive në Luginën e Preshevës në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe 29 Nëntorit./Telegrafi.

