Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas Pacollit, përmes kësaj marrëveshjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ofrojë mbështetje në aksionet shtetërore përmes personelit, makinerive dhe kapaciteteve logjistike, me synim krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të sigurt.
“Bashkojmë forcat për një Kosovë më të pastër! Sot, bashkë me Ministrin e Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, nënshkruam Marrëveshjen e Mirëkuptimit që fuqizon bashkëpunimin ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi shtetërore dhe kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështesë aksionet shtetërore me personel, makineri dhe kapacitete logjistike për garantuar ambient të sigurt dhe të pastër”, ka deklaruar ministrja në detyrë.
Sipas saj, ky partneritet synon mbrojtjen e hapësirave publike, rritjen e sigurisë mjedisore dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
“Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi shtetërore dhe kërkon angazhim të përbashkët. Me këtë partneritet po dëshmojmë se institucionet e Kosovës veprojnë të bashkuara për të mbrojtur hapësirat publike, për të rritur sigurinë mjedisore dhe për t’u ofruar qytetarëve një vend më të pastër për të jetuar”, ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/
