Ish-nënkryetarja e Komunës së Vushtrrisë, Hava Mlinaku, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës “Isak Halili”, duke thënë se banorët e kësaj pjese të qytetit po presin prej pesë vitesh për përmirësimin e infrastrukturës.
Në reagimin e saj pas seancës së fundit të Kuvendit Komunal, Mlinaku ka deklaruar se projekti për këtë rrugë është i përfunduar dhe se për vitin 2026 janë ndarë 50 mijë euro, por sipas saj, procedurat për realizimin e punimeve ende nuk kanë nisur.
Ajo ka thënë gjithashtu se për vitin 2027 rruga është larguar nga planifikimi.
“Ndërkohë, kjo pjesë e qytetit vazhdon të lihet pas dore, rruga nuk po rregullohet, nuk po pastrohet dhe nuk po mirëmbahet si pjesët e tjera të qytetit të Vushtrrisë”, ka shkruar Mlinaku.
Sipas saj, banorët e kësaj zone nuk kërkojnë privilegje, por trajtim të barabartë me qytetarët e tjerë.
“‘Isak Halili’ nuk mund të mbetet vetëm premtim zgjedhor. Do ta ngremë këtë çështje derisa të ketë zgjidhje!”, ka deklaruar Mlinaku.
Ajo ka publikuar edhe fotografi që, sipas saj, paraqesin gjendjen dhe mirëmbajtjen aktuale të rrugës. /Telegrafi/