Kosova do të përballet me Izraelin të enjten në Debrecen të Hungarisë, vetëm pak ditë pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Irlandës në Ligën e Kombeve. Pas kësaj disfate, përzgjedhësi Ran Ben Shimon pranoi se skuadra e tij zhvilloi një paraqitje shumë të dobët.
“E nisëm ndeshjen në një mënyrë të turpshme, ishte thjesht e turpshme. U ndjeva i turpëruar”, deklaroi Shimon, duke kërkuar falje për tifozët pas paraqitjes së dobët të ekipit.
Shimon pranoi gjithashtu se skuadra nuk ishte përgatitur siç duhet për sfidën me Irlandën. “Mendojmë se e përgatitëm mirë ekipin, me sa duket jo, me të vërtetë nuk e përgatitëm mirë ekipin”, tha ai.
Megjithatë, Shimon kërkon reagim të menjëhershëm dhe beson se Izraeli ka ende mundësi për ta përmirësuar situatën në grup. Ai e përmendi drejtpërdrejt Kosovën si një nga dy mundësitë që ekipi i tij ka për të reaguar.
“E sollëm veten në këtë pikë, tani duhet të jemi burra dhe të përballemi me gjithçka që thonë për ne. Kemi dy raste për të përmirësuar gabimet, dhe ato do të jenë fitoret ndaj Kosovës të enjten dhe ndaj Irlandës më pas”, ka thënë Shimon, raporton mediumi izraelit “Sport5”.
Izraeli është pa pikë pas dy ndeshjeve në grup, ndërsa Kosova ka tri pikë. Përballja e së enjtes në Debrecen është e rëndësishme për të dyja skuadrat.
Shimon mori përgjegjësinë për paraqitjen e ekipit dhe kërkoi që lojtarët të reagojnë në sfidat e ardhshme, ndërsa ai po përballet edhe me zëra për shkarkimin e tij. /Telegrafi/