Talenti i Bayern Munichut, Erblin Osmani, ka shkruar historinw me Kombwtaren e Kosovws me debutimin e tij në Ligën e Kombeve, ndërsa paraqitja e 17-vjeçarit ka marrë jehonë edhe në mediat gjermane.
Mediumi i njohur gjerman SPORT1 i ka kushtuar një artikull të veçantë debutimit të Osmanit, duke e cilësuar atë si një paraqitje historike.
“Osmani është bërë futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë për Kombwtaren A të Kosovës”, shkruan medium gjerman.
Osmani u aktivizua në minutën e 87-të të fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke marrë kështu për herë të parë minuta me fanellën e Kosovës.
Ai mesfushori priti deri në fund të ndeshjes për momentin e tij, para se përzgjedhësi Franco Foda ta thërriste për t’i dhënë udhëzimet e fundit para hyrjes në fushë.
Me moshën 17 vjeç, katër muaj e pesë ditë, Osmani vendosi rekordin si debutuesi më i ri në historinë e Kosovës. Pas ndeshjes, talenti i Bayern Munichut e përshkroi debutimin si një ëndërr të realizuar, duke theksuar se gjithmonë kishte dëshiruar të luante për Kosovën.
SPORT1 rikujton gjithashtu se Osmani kishte mundësinë të luante për Gjermaninë, pasi kishte zhvilluar ndeshje me përfaqësueset e grupmoshave të këtij shteti. Megjithatë, 17-vjeçari zgjodhi Kosovën.
Talenti kosovar kishte bërë histori edhe më herët me Bayern Munichun. Në mars, ai debutoi në Bundesliga kundër Union Berlinit në moshën 16-vjeçare, duke u bërë njëri prej debutuesve më të rinj në historinë e klubit bavarez.
Në korrik, Bayerni i ofroi Osmanit kontratë të parë afatgjatë, ndërsa aktualisht ai aktivizohet me ekipin U19 dhe skuadrën e dytë të klubit./Telegrafi/