Manchester United pritet t’i ofrojë Michael Carrickut mundësinë që të vazhdojë si trajner i parë në mënyrë të përhershme, pasi ish-mesfushori e udhëhoqi klubin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Sipas “The Guardian”, Carrick ende nuk ka zhvilluar bisedime zyrtare për ta kthyer rolin e tij të përkohshëm në një emërim afatgjatë.
Kjo pasi drejtuesit e klubit kishin planifikuar fillimisht të prisnin dhe të vlerësonin nëse ai do ta arrinte objektivin kryesor, sigurimin e një vendi në garat elitare evropian.
Ky synim tashmë është realizuar pas fitores 3-2 ndaj Liverpoolit, rezultat që ia garantoi Unitedit një vend në pesëshen e parë. Që kur mori drejtimin në janar, Carrick ka regjistruar 10 fitore dhe dy barazime në 14 ndeshje të Ligës Premier.
Raportohet se drejtori i futbollit, Jason Wilcox, dhe shefi ekzekutiv, Omar Berrada, janë të kënaqur me ndikimin e tij që nga momenti kur zëvendësoi Ruben Amorimin, ndërsa mbështetje të fortë për Carrickun ka edhe nga brenda skuadrës. /Telegrafi/