Ndërmarrja publike “Trepça” SH.A. ka ndarë 138 mijë e 200 euro për furnizimin me motorë dhe pjesë rezervë për makineritë nëntokësore, sipas një dokumenti të publikuar në platformën E-Prokurimi.
Kontratën e ka fituar operatori ekonomik LEXALKO SH.P.K., me seli në Lipjan, pas një procedure të hapur të prokurimit.
Sipas dokumentit të publikuar në E-Prokurimi, vlera e parashikuar e kontratës ishte 141 mijë e 950 euro, ndërsa kontrata është dhënë për 138 mijë e 200 euro, apo 3 mijë e 750 euro më pak se shuma e planifikuar, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë aktivitet të prokurimit janë pranuar gjithsej katër oferta, ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.
Furnizimi është paraparë për nevojat e Minierës me Flotacion në Stantërg, ndërsa marrëveshja kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Sipas dokumentit të publikuar, kontrata është dhënë më 19 tetor 2026, kurse nënshkrimi i saj është planifikuar për 23 tetor 2026.

