Një automjet tip SUV u përplas me një grup këmbësorësh pranë një stacioni metroje në North Hollywood. Mes të plagosurve është edhe drejtuesi i automjetit, i cili ndodhet në gjendje kritike.
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë pasi një automjet tip SUV përplasi një grup shitësish ambulantë dhe këmbësorësh në lagjen North Hollywood të Los Angeles, në Kaliforni. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, rreth orës 17:55, pranë hyrjes së një stacioni metroje, në një kryqëzim të frekuentuar të zonës.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Angeles (LAPD), një SUV i bardhë u përplas me të paktën pesë këmbësorë, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles bëri të ditur se tre persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë u transportuan me urgjencë në spitalet lokale në gjendje kritike. Edhe drejtuesi i automjetit, një burrë rreth të 60-ave, mbeti i plagosur rëndë dhe u shtrua në spital në gjendje kritike.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e përplasjes. Sipas kapitenit të policisë, Warner Castillo, po kryhen teste për të përcaktuar nëse shoferi ishte nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera në momentin e aksidentit. Policia po kërkon gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë nga zona dhe stacioni i autobusëve, me qëllim rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Shefi i Policisë së Los Angeles, Jim McDonnell, deklaroi se hetimi do të jetë i detajuar për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi. Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të gjithë personat e prekur nga tragjedia.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë, ndërsa priten informacione të tjera për identitetin e viktimave dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

