Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, priti sot në takim, veprimtarin e shquar Bardhyl Mahmutin, autorin e librit “Revolta e Syzifit”, dhe personazhin e librit, kushtuar Masakrës së Poklekut, Fadil Muqollin.
Postimi i Lladrovcit:
Drenasi, si vatër e UÇK-së dhe rezistencës shekullore kundër okupatorit, është dëshmi e gjallë e gjenocidit serb. Këtë e dëshmon atdhetari shembullor, miku im, Bardhyl Mahmuti, i cili u mor me Masakrën e Poklekut.
Sot, prita në takim Bardhylin dhe Fadil Muqollin, si kryepersonazh i veprës “Revolta e Syzifit” me ç’rast diskutuam për historinë e dhimbshme por krenare të popullit tonë, me vështrim të posaçëm në punën e paktë që po bëhet për të dokumentuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.
Me kënaqësi e pranova dhuratë librin “Revolta e Syzifit”, njëherësh, Drejtoria e Kulturës pranoi 130 kopje të librit që do të shpërndahen në të gjitha bibliotekat dhe shkollat e komunës tonë. Libri ka zgjuar interesim të madh ndër lexuesit anekënd trojeve shqiptare, andaj, e falënderoj Bardhylin dhe Fadilin për këtë dhuratë.
Nderim për Bardhylin i cili me shpirt preku plagën e gjallë të Poklekut dhe për Fadilin, qëndresën e tij përball tragjedisë së jashtëzakonshme në rrugën e gjatë të çlirimit.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

