Sheshi i Shën Pjetrit në Romë gumëzhin në të gjitha ditët e vitit nga turistët dhe pelegrinët. Që nga lashtësia, besimtarët kanë bërë pelegrinazh në vendin ku sot ngrihet Bazilika e Shën Pjetrit në Romë. Aty besohet se ndodhet varri i apostullit Pjetër. 400 vjet më parë, më 18 nëntor 1626, bazilika u shugurua.
Atraksion turistik apo vend i shenjtë?
Edhe 400 vjet pas shugurimit të bazilikës, Pietro Zander, nga institucioni tradicional i Vatikanitqë kujdeset për mirëmbajtjen dhe restaurimin e Bazilikës së Shën Pjetrit, ka një qëndrim të qartë: "Duhet të kujdesemi që kjo bazilikë të mos perceptohet si muze, edhe pse brenda saj gjenden vepra të jashtëzakonshme arti. Sepse këtu arti është në shërbim të besimit, arti rrëfen besimin.”
Brenda bazilikës, kolonat monumentale ndërthuren me mozaikë të punuar me mjeshtëri. Aty gjenden statuja shenjtorësh dhe varre të papëve të ndryshëm. Dyshemeja është prej mermeri, ndërsa tavani zbukurohet me ornamente prej stukoje të praruara. E gjithë kjo është rezultat i një historie ndërtimi që zgjati 120 vjet.
Guri i themelit për Bazilikën e re të Shën Pjetrit u vendos që në vitin 1506, por punimet ecën ngadalë që në fillim. Arkitekti i parë, të cilit Papa Julius II i asaj kohe i besoi projektin, ishte Donato Bramante.
Fillimisht ai kishte plane konkrete, tregon Pietro Zander: "Bramante e përfytyronte ndërtesën e re mbi bazën e një kryqi grek. Kjo do të thotë se dy aniatat e kishës, aksi gjatësor dhe ai tërthor, duhej të kishin të njëjtën gjatësi, përkatësisht 105 metra.”
Shumë arkitektë u angazhuan në ndërtim
Por Bramante arriti të ndërtonte vetëm katër kolona gjigante para se të vdiste në vitin 1514. Dhe fati i tij thuajse u kthye në një model që do të përsëritej. Edhe arkitektët që e pasuan vdiqën pas vetëm pak vitesh dhe nuk arritën të bënin shumë përparim në kantier. Punimet ndërpriteshin vazhdimisht për vite, madje edhe për dekada.
Vetëm artisti Michelangelo Buonarroti, në mesin e shekullit XVI, i dha një shtysë vendimtare ndërtimit. Ai përcaktoi format monumentale që karakterizojnë sot Bazilikën e Shën Pjetrit dhe hartoi skicat e kupolës."Jam plotësisht i bindur: po të mos kishte qenë Michelangelo, sot këtu do të kishim një Sagrada Familia. Pra, një kishë që askush nuk do ta kishte përfunduar kurrë”, thotë Zander.
Ishte Papa Paul V ai që, në fillim të shekullit XVII, përfundoi pjesën ballore të ndërtesës dhe urdhëroi ndërtimin e fasadës që shihet sot nga Sheshi i Shën Pjetrit. Në vitin 1626 pasoi shugurimi solemn i bazilikës.
"Pothuajse i gjithë qyteti kishte punuar për ndërtimin ose kishte kontribuar në një mënyrë apo në një tjetër”, tregon Zander. "Prandaj shugurimi ishte një ngjarje shumë e rëndësishme, veçanërisht për banorët e Romës.”
Edhe sot Bazilika e Shën Pjetrit ka një rëndësi të veçantë për banorët e Romës dhe është shndërruar në një nga simbolet e qytetit. Imazhi i saj gjendet në kartolina, në magnetë suvenirësh apo në varëse. Pothuajse nga çdo pikë panoramike njerëzit përpiqen ta dallojnë dhe, mbi çatitë e Romës, ajo është thuajse gjithmonë e dukshme: kupola e saj madhështore dhe mbresëlënëse./DW

