Liverpooli e ka zyrtarizuar Andoni Iraolën si trajnerin e ri me kontratë dyvjeçare, duke hapur një epokë të re pas largimit të Arne Slot.
Spanjolli vjen me reputacionin e një trajneri që ndërton ekipe agresive, me presing dhe “futboll sulmuese”, por “Anfield” do t’i kërkojë rezultat të shpejtë dhe identitet të qartë.
Për ta arritur këtë, Iraola po hyn në punë me disa dosje urgjente që duhet t’i mbyllë para nisjes së sezonit të ri.
Bëje Isakun të “ringjallet”
Një nga sfidat e para është Alexander Isak. Sezoni i parë i suedezit u shënua nga dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë, duke mos e justifikuar peshën e pritjeve.
Në këtë kontekst, Botërori mund të shndërrohet në “shansin e fundit” për të marrë minuta, ritëm dhe besim, nëse kthehet i padëmtuar dhe me gola në këmbë.
Për Iraolën, versioni i Isakut që bënte diferencën me lëvizje, presing dhe finalizim është jetik, sepse një tjetër sezon me pak gola do të ishte i papranueshëm për profilin dhe koston e tij.
Çfarë të bësh me Wirtzin dhe rregullo mesfushën
Nëse Isaku duhet të ringrihet, atëherë Liverpooli duhet të gjejë edhe mënyrën si ta shfrytëzojë maksimalisht Florian Wirtz.
Gjermani ka dhënë shkëndija, por edhe ka pasur periudha ku është zhdukur, sidomos në ndeshje të mëdha. Iraola pritet të luajë shpesh me 4-2-3-1, skemë ku Wirtz do të ishte logjikisht “numri 10” dhe qendra e krijimit.
Por kjo kërkon strukturë: ai duhet të ketë rreth vetes lëvizje, opsione dhe një ekip që e mbron tranzicionin kur Liverpooli humb topin.
Për Iraolën, mesfusha është pika ku Liverpooli e humbi shpesh kontrollin sezonin e kaluar. Alexis Mac Allister u pa i lodhur në faza, ndërsa Ryan Gravenberch jep më shumë rrezik në sulm sesa mbulim në prapavijë.
Nëse Wirtz luan si 10, atëherë dyshja poshtë tij duhet të jetë më e fortë dhe më e balancuar. Prandaj nuk do të ishte surprizë që Iraola t’i kërkojë klubit një mesfushor mbrojtës specialist (nr.6), për ta stabilizuar ekipin, për ta ulur barrën e të tjerëve dhe për t’i dhënë Wirtz-it liri reale për të krijuar.
Zhvillo pasardhësin e Salahut
Një problem po aq i madh është krahu i djathtë. Pavarësisht zërave, Mohamed Salah nuk pritet të rikthehet menjëherë dhe Liverpooli duhet të mendojë seriozisht për një zëvendësues të denjë.
Ky nuk është vetëm problem “emri”, por problem funksioni: pa një kërcënim konstant nga e djathta, sulmi bëhet më i lexueshëm, Isaku izolohet, Wirtz ka më pak lëvizje përpara dhe presingu humb një armë kryesore.
Përparësia e Iraolës është se ai ka treguar se di t’i rrisë anësorët dhe t’i bëjë vendimtarë në intensitet e në tranzicion, por klubi duhet t’i sjellë profilin e duhur.
Rregullo prapavijën për futbollin e Iraolës
Stili i Iraolës kërkon vijë më të lartë, presing më agresiv dhe rikuperim të shpejtë pas humbjes së topit. Kjo funksionon vetëm nëse mbrojtja është e shpejtë, e sinkronizuar dhe e vendosur mirë në duele.
Liverpooli duhet të vendosë qartësi në role, të shmangë luhatjet dhe të krijojë stabilitet, sepse pa një bazë të fortë mbrapa, çdo ide sulmuese kthehet në rrezik në kundërsulm.
Kontrata dyvjeçare e bën projektin të duket “me afat”, jo pa kufi. Kjo do të thotë se Iraola duhet të japë shenja të qarta përmirësimi shpejt: intensitet, strukturë, më shumë gola dhe më pak ndeshje ku Liverpooli duket i pafuqishëm mendërisht e fizikisht.
Nëse ai arrin ta ringjallë Isakun, ta vendosë Wirtzin në kushtet ku dominon dhe ta ndërtojë një identitet të ri pas Salahut, atëherë Liverpooli mund të kthehet shpejt në skuadrën që e imponon ritmin. Nëse jo, “Anfield” nuk pret gjatë. /Telegrafi/
