Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Fushë Kosovë ka ngritur shqetësime lidhur me një tender në vlerë prej 710 mijë eurosh, të shpallur nga Komuna e Fushë Kosovës për furnizim me pajisje për menaxhimin e mbeturinave, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe mënyrën e zhvillimit të procedurës së prokurimit.
Sipas reagimit të LDK-së, tenderi është hapur më 3 qershor 2026 nga komuna e udhëhequr nga kryetari Valon Prebreza, ndërsa afatet dhe specifikat teknike të përcaktuara “ngrenë dyshime serioze se procedura mund të jetë hartuar në mënyrë që të kufizojë konkurrencën dhe të ngushtojë rrethin e operatorëve ekonomikë që mund të marrin pjesë”.
LDK-ja ka theksuar se shqetësues mbetet edhe fakti se vetëm 11 ditë pas shpalljes së tenderit, kryetari i komunës ka mbledhur Këshillin për Siguri në Bashkësi dhe ka shpallur gjendje emergjente.
“Kjo ngre pikëpyetje legjitime nëse ’emergjenca’ po përdoret si arsyetim për përshpejtimin e procedurave dhe shmangien e praktikave të zakonshme të prokurimit”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj partie, mbetet e paqartë edhe arsyeja pse tenderi, i cili përfshin kategori të ndryshme pajisjesh, nuk është ndarë në lote.
“Ndarja në lote është praktikë që rrit konkurrencën dhe u jep mundësi pjesëmarrjeje më të madhe operatorëve ekonomikë të specializuar. Mosndarja e tij favorizon kompanitë e mëdha dhe kufizon pjesëmarrjen e bizneseve më të vogla”, ka vlerësuar LDK-ja.
Një tjetër element problematik, sipas degës së LDK-së në Fushë Kosovë, janë edhe specifikat teknike të përfshira në dokumentacionin e tenderit.
“Në dokumentacion kërkohet transmision ‘ZF’ (manual me minimum 6 shpejtësi), kriter që mund të perceptohet si orientim drejt prodhuesve të caktuar. Specifikat teknike duhet të jenë neutrale, të arsyetuara dhe të mos kufizojnë konkurrencën”, thuhet më tej në reagim.
LDK-ja ka theksuar se transparenca, konkurrenca e ndershme dhe trajtimi i barabartë i operatorëve ekonomikë janë parime të panegociueshme, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë sqarime për çdo dyshim mbi menaxhimin e parasë publike.
“Si LDK në Fushë Kosovë, do të vazhdojmë të kërkojmë sqarime për çdo dyshim mbi menaxhimin e parasë publike dhe do të denoncojmë çdo parregullsi që cenon interesin e qytetarëve”, përfundon reagimi. /Telegrafi/
