John Shkëmbi është një shembull për të rinjt që studiojnë jashtë vendit dhe dëshirojnë të kontribuojnë në atdheun e tyre. Pas përfundimit të studimeve në SHBA, ai vendosi të kthehej në Shqipëri për t’u bërë pjesë e Qendrës Operacionale Kibernetike pranë Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes.
Rruga drejt karrierës në Kibernetikë
“Që në vitin e fundit të gjimnazit, ndërkohë që po përgatitesha për testimet e maturës, fillova të aplikoj në universitete të ndryshme, si në Amerikë dhe Evropë. Por dëshira ime më e madhe ishte të aplikoj në West Point, një akademi e njohur në SHBA. Në 2020 fillova studimet dhe në 2024 u diplomova. Kisha qejf pjesën e teknologjisë dhe mora inxhinierinë kompjuterike si degë kryesore,” rrëfen John.
“Ishte një kulturë krejt tjetër nga ajo shqiptare. Shkolla përfshinte njerëz nga çdo shtet i Amerikës dhe duhej të mësoje edhe me theksin e secilit. Për rreth katër vite kam qenë vetëm; nuk kam pasur familjarë aty, vetëm kur u diplomova erdhën. Në tetor 2024 fillova detyrën si inxhinier i sigurisë kibernetike në Shqipëri”, thotë ai.
Çfarë bën si inxhinier i sigurisë kibernetike?
“Ne përqendrohemi te mbrojtja e sistemeve kritike të Forcave të Armatosura. Përpiqemi të parandalojmë dhe të monitorojmë rreziqet sa më herët që të mundemi dhe t’i menaxhojmë sa më sigurt. Ka aktivitete të shumta; disa janë më të lehta, disa më të vështira, por çdo sulm studiohet dhe trajtohet. Pajisjet nga Amerika, si Fly-Away Kits, na mundësojnë të jemi të dislokueshëm dhe të marrim pajisjet kudo ku ndodh incidenti. Jemi aktiv 24/7 dhe siguria është në nivel të lartë.”
Bashkëpunimi me NATO-n dhe aleatët
“Bashkëpunojmë shumë me aleatë ndërkombëtarë dhe brenda vendit. Partneri ynë kryesor është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar në krijimin e këtyre zyrave dhe strukturave.”
Një ditë e zakonshme për John-in
“Është një balancë e vështirë, pasi gjatë gjithë kohës jemi në gatishmëri. Puna fillon në orën 8 dhe mbaron në fund të ditës, por mundohem të jem aktiv dhe të jap maksimumin. Pas punës, lexoj diçka, edhe në rastin kur jam në gatishmëri.”
Mesazh për të rinjt shqiptarë
“Unë jam 23 vjeç. Shpresoj që rrugëtimi im të shërbejë si motivim për të rinjt shqiptarë. Përkushtimi dhe dëshira për të mësuar janë kyç për të arritur ëndrrat dhe për të qenë të lumtur. Shërbimi ndaj atdheut është kryesor.”
A do të kthehet përsëri në Amerikë?
“E dija që një moment do vija këtu dhe të kontribuoja në atdheun tim. Qëllimi im tani është të jap maksimumin këtu.”/Euronews Albania
– YouTube youtu.be