KORREKT / SOT20 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kush është Ilir Rexhepi, i dyshuari për rastin ndaj KIKS-it? Emri i tij figuron në rastin “Nata”

Kush është Ilir Rexhepi, i dyshuari për rastin ndaj KIKS-it? Emri i tij figuron në rastin “Nata”

Ilir Rexhepi, i dyshuari për sulmin fizik ndaj ekipit të KIKS Kosovës, ka një histori të mëhershme gjyqësore. Ai ishte dënuar në rastin e njohur si “Nata”, për mundësim të prostitucionit dhe shpëlarje parash. Megjithatë, pas ndalimit për sulmin ndaj gazetarëve, Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk kërkoi caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Ilir Rexhepi është emri që u bë publik pas sulmit fizik ndaj ekipit të emisionit KIKS Kosova, më 7 tetor 2026, në Ferizaj.

Ekipi po xhironte një storie për një çështje pronësore kur u sulmua fizikisht.

Por, ndonëse Rexhepi kishte precedent penal në të kaluarën, ai u lirua pasi Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht prokurori Ardian Emini i cili është koordinator për media, nuk paraqiti kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Në përgjigjen e saj për KIKS Kosovën, Prokuroria kishte arsyetuar lirimin e tij me faktin se Rexhepi ishte paraqitur vullnetarisht në polici dhe kishte pranuar përfshirjen e tij në rast. Por e vërteta është se Rexhepi kishte shkuar në polici duke pretenduar se kishte gjetur një kamerë të humbur dhe më pas ishte arrestuar, pasi KIKS-i kishte lajmëruar rastin e sulmit.

Sidoqoftë, për këtë rast ende dy persona janë në arrati, për çka Prokuroria Themelore ka thënë se po bashkëpunon me Policinë për sqarimin e kësaj çështjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar.

Por, kush është Ilir Rexhepi dhe çfarë rezulton nga historia e tij gjyqësore?

Emri i tij figuron në rastin e njohur si “Nata”, një prej rasteve të trajtuara nga drejtësia në Kosovë, që lidhej me prostitucionin dhe shpëlarjen e parave.

Më 24 qershor 2014, EULEX-i kishte njoftuar atë kohë se një prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj kishin ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vepra penale që përfshinin krimin e organizuar dhe mundësimin e prostitucionit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshoheshin se, së bashku me persona të tjerë, kishin krijuar një grup të organizuar kriminal për të mundësuar prostitucionin, duke rekrutuar shtetase të huaja, kryesisht nga Ukraina, për të ofruar shërbime seksuale në motelin “Nata”, në rajonin e Ferizajt.

Veprimet e dyshuara përfshinin periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2013.

Sipas njoftimit të EULEX-it, prokuroria dyshonte se të përfshirët kishin përfituar së paku 1.5 milion euro nga aktivitetet kriminale. Gjatë hetimeve ishte sekuestruar një sasi e konsiderueshme pasurie, përfshirë shtëpi, banesa, automjete dhe para.

Dhe me më 4 prill 2016, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte shpallur aktgjykimin në këtë rast penal ndaj tre të akuzuarve.

Për çka ajo kishte dënuar, Ilir Rexhepi dhe A. Xh. ishin dënuar secili me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe nga 20 mijë euro gjobë për mundësim të prostitucionit dhe shpëlarje të parave në bashkëkryerje.

Ndërkaq, A.A. ishte dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 50 mijë euro gjobë.

Dënimet e tyre, të marra së bashku, arrinin në 13 vjet burgim. Gjykata kishte urdhëruar gjithashtu konfiskimin e përhershëm të pasurisë së konsideruar të fituar në mënyrë të kundërligjshme, në vlerë të përgjithshme prej afro 1.5 milion eurosh.

Më 25 tetor 2016, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë duke e bërë të plotfuqishëm këtë dënim, ku Rexhepi vuajti edhe burgun e shqiptuar.

Pra, bëhet fjalë për një dënim të mëhershëm gjyqësor, të vërtetuar nga Apeli, e jo vetëm për dyshime të ngritura nga organet e hetuesisë.

Ndiqni kronikat e Kiks Kosova për këtë çështje:

Ndiqeni emisionin e plotë:

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.