Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual, ndërsa ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake.
Në një postim në Facebook, Kurti ka njoftuar se Ditën e Forcës e ka shënuar sot në Tiranë, në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të kaluar është trefishuar buxheti i ushtrisë, ndërsa në mandatin aktual synohet investimi i më shumë se 1 miliard eurove në këtë sektor.
Kurti ka bërë të ditur se deri më tani janë rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj dhe se Kosova po i afrohet përmbushjes së kapaciteteve ushtarake të parapara për vitin 2028.
Sipas tij, përmbushja e këtyre objektivave është përshpejtuar për dy vjet.
Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe zgjerimin e arsenalit ushtarak të FSK-së, duke thënë se për 12 vjet kjo forcë kishte vetëm një lloj pushke dhe një lloj pistolete, ndërsa gjatë qeverisjes së tij arsenali është zgjeruar në mbi 40 lloje sistemesh armatimi.
Ai ka përmendur gjithashtu nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në Kosovë, e cila, sipas tij, do të jetë ndërmarrje publike dhe do të prodhojë me markë 100 për qind vendore.
“Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut dhe ushtria jonë të jetë pjesë e NATO-s”, ka shkruar Kurti./Telegrafi/

