Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte u takua me përfaqësues të komunitetit të biznesit, ekspertë dhe ndërmarrës, nga Kosova e Polonia.
Takimi u realizua në prag të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, nikoqir i të cilit është Kosova, shkruan IndeksOnline.
Përpara të pranishmëve, kryeministri pohoi se qëllim është rritja e prodhimit në vendin tonë dhe eksportimi jashtë tij.
“Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, por të ofrojmë produkte, shërbime dhe të bëhemi partnerë nëpërmjet investimeve në Republikën e Kosovës” shkroi Kurti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Në pritjen e organizuar në prag të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, që do të mbahet nesër dhe pasnesër në Prishtinë, sonte pata kënaqësinë të takohem me përfaqësues të institucioneve e të komunitetit të biznesit, ekspertë e ndërmarrës, pjesëmarrës nga të dyja vendet.
Ne duam të rrisim prodhimin në vendin tonë dhe të eksportojmë sa më shumë jashtë tij. Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, por të ofrojmë produkte, shërbime dhe të bëhemi partnerë nëpërmjet investimeve në Republikën e Kosovës.
Forumi do të jetë i përqendruar në tri fusha kryesore: ekonominë dhe qeverisjen digjitale; mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike; si dhe avancimin e prodhimit, infrastrukturës dhe energjisë. Në secilën prej tyre mund të marrim mësime, sikurse të ndërveprojmë e të krijojmë lidhje të vyera për zhvillim. Polonia do të marrë pjesë në takimin e G20 në ShBA, muajin e ardhshëm, dhe është anëtare e BE-së dhe NATO-s, ku ne synojmë të anëtarësohemi në të ardhmen.

