Ish-kandidati për deputet nga Aleanca, Dardan Krasniqi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur të gjitha pushtetet politike gjatë gjashtë vjetëve të fundit, por, sipas tij, Kosovës i kanë munguar drejtësia, barazia dhe reformat në sektorë të rëndësishëm.
Duke folur në Debat Plus, ai ka thënë se, ndonëse pushtetet janë formalisht të ndara, në praktikë nuk e kanë përmbushur gjithmonë rolin dhe funksionet e tyre.
Ai ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, politika dhe drejtësia janë përballur me rastet e krimit dhe korrupsionit, duke pretenduar se ka pasur raste kur njerëzit janë amnistuar nga të dyja.
“Në kuptimin e hapur nuk i ka të gjitha pushtetet, sepse do të ishte jo normale të thuhej se i ka të gjitha. Por pushtetin politik, për çka synojnë partitë, LVV-ja e ka pasur të gjithin, jo tash, por qe gjashtë vjet e tutje”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe Kosovës i kanë munguar drejtësia, barazia, projektet kapitale dhe reformat në arsim, shëndetësi e infrastrukturë.

