Votuesit e regjistruar jashtë Kosovës mund të votojnë me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës me afat të skaduar.
Ky është njëri nga vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen elektronike që ka zhvilluar sot, më 03.06.2026.
“Ky vendim i KQZ-së vjen pas evidentimit të disa rasteve gjatë procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike në zgjdhjet e kaluara për Kuvendin e Kosovës, i mbajtur më 8 shkurt 2025 dhe 27 dhjetor 2025, janë evidentuar raste të votuesve të cilët janë paraqitur me dokumente identifikimi të skaduara.” – thuhet në njoftimin e KQZ-së më 03.06.2026.
KQZ po ashtu në këtë mbledhje mori vendim për miratimin e procedurës standard të veprimit për aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Kjo procedurë përcakton organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e QNR-së gjatë administrimit të materialeve zgjedhore dhe numërimit të votave.
“Dokumenti rregullon të gjitha fazat e procesit, duke filluar nga pranimi i materialeve zgjedhore nga Qendrat Komunale të Numërimit, votimi me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi nga jashtë Kosovës, e deri te numërimi, verifikimi, rinumërimi eventual, tabulimi dhe publikimi i rezultateve.” – njofton KQZ.
Sipas KQZ-së, procedura përcakton rregullat për transparencën, praninë e vëzhguesve të akredituar, kontrollin e procesit, trajtimin e ankesave, masat disiplinore në rast shkeljesh dhe mbylljen përfundimtare të QNR-së pas përmbylljes së të gjitha aktiviteteve zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 07.06.2026, kurse fushata elektorale ka filluar më 28.05.2026.
