Kongresisti amerikan, Keith Self, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, duke thënë se ato janë rezultat i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësisë për mosrespektimin e sundimit të ligjit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Self ka theksuar se udhëheqësit shqiptarë duhet t’i marrin parasysh kërkesat e qytetarëve për ndryshime thelbësore.
“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Self ka shtuar se ndryshimet e kërkuara duhet të krijojnë mundësi ekonomike dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.
“Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’i dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, ka deklaruar kongresisti amerikan.

