Dani Olmo është rikthyer te goli në fitoren e thellë të Barcelonës ndaj Real Betisit, me rezultat 5-2, duke shënuar golin e fundit të ndeshjes dhe duke vulosur fitoren e nëntë radhazi të katalunasve në La Liga.
Mesfushori ofensiv pranoi se nuk ishte i shqetësuar nga mungesa e golave, pasi për të më e rëndësishme ishte suksesi i skuadrës.
“Jam shumë i lumtur që vazhdoj të shënoj ose të asistoj. Më vjen mirë që vazhdoj të kontribuoj për ekipin. Kishte kaluar një kohë që nuk kisha shënuar, por kjo nuk më pengonte. Doja vetëm që ekipi të fitonte dhe këtë po e bënte. Jam i lumtur, por mbi të gjitha sepse fituam dhe morëm tri pikët”, deklaroi Olmo.
Futbollisti spanjoll, i cili ndaj Galatasarayt luajti si sulmues i rremë, ndërsa kundër Betisit në pozitën e tij natyrale pas sulmuesit, foli edhe për sfidat e rëndësishme që e presin Barcelonën.
“Po përpiqem të bëj më të mirën për ekipin. Të gjithë jemi të lumtur dhe të përgatitur për javën që kemi përpara. Do të luajmë kundër kampionit të Ligës së Kampionëve dhe rivalit tonë më të madh. Jemi të motivuar”, u shpreh ai.
Barcelona e pret një javë vendimtare, fillimisht me përballjen ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, të martën në Paris, ndërsa të dielën do të përballet me Real Madridin në El Clasico, në stadiumin Spotify Camp Nou. /Zëri

