Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur zhvendosjen e kontejnerëve të banimit nga Zona Industriale e Prishtinës drejt fushave lokale të futbollit në zonën e Bërnicës, pas një kërkese të bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës për përmirësimin e kushteve për futbollistët e rinj.
Sipas njoftimit të KFOR-it, kontejnerët do të shërbejnë si hapësira funksionale për lojtarët e rinj, duke u ofruar kushte më të mira për stërvitje, ndërrim të pajisjeve sportive dhe përgatitje para zhvillimit të ndeshjeve.
Ky projekt, sipas KFOR-it, dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të misionit për zhvillimin e të rinjve përmes sportit dhe krijimin e mundësive më të mira për brezat e rinj në Kosovë.
“Këta kontejnerë do t’u ofrojnë futbollistëve të rinj ambiente më të përshtatshme për t’u stërvitur, për t’u ndërruar dhe për t’u përgatitur për ndeshjet e tyre”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ritheksoi se mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe për sigurimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. /Telegrafi/
