Gjatë ditës së djeshme, aktivisti Blendi Hodai ka raportuar se është kërcënuar pas publikimit të pretendimeve për parregullsi në një avancim akademik në Universitetin e Tetovës.
Hodai bëri të ditur se rastin e ka paraqitur në polici, duke theksuar se kërcënimet janë drejtuar ndaj tij, familjes dhe kolegëve të tij.
E për këtë rast ka reaguar zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, i cili ka dënuar kërcënimet ndaj kryetarit të organizatës “Forumi për Ndryshime në Arsim”, Blendi Hodai, duke kërkuar hetim institucional të rastit dhe mbrojtje të lirisë së shprehjes.
Përmes një reagimi publik, Sulejmani dënoi kërcënimet ndaj Hodait dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë ndaj aktivistit të arsimit.
“Dënoj ashpër kërcënimet e bëra ndaj kryetarit të organizatës ‘Forumi për Ndryshime në Arsim’, z. Blendi Hodai, dhe shpreh përkrahjen time ndaj tij”, deklaroi Sulejmani.
Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e përgjegjësve.
“Ftoj organet përgjegjëse ta hulumtojnë këtë rast”, theksoi zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës.
“Fjala e lirë është vlera më e lartë e demokracisë. Kemi bërë shumë në këtë drejtim dhe tani nuk duhet t’i lejojmë askujt ta dëmtojë atë”, u shpreh ai.