Nga topuzi i lëmuar deri te shiriti për flokë, këto zgjidhje praktike e bëjnë flokun të duket më i rregullt për vetëm pak minuta
Ka ditë kur thjesht nuk ka kohë për larjen e flokëve. Përveç shampos së thatë, ekzistojnë edhe disa frizura që mund të jenë zgjidhje e shpejtë dhe praktike për ta fshehur rrënjën e yndyrshme të flokëve.
Me zgjedhjen e duhur, flokët mund të duken të rregulluar, të freskët dhe modernë, edhe kur larja duhet të shtyhet për më vonë.
Topuzi i lëmuar
Të famshme si Hailey Bieber, Bella Hadid dhe Kendall Jenner e adhurojnë topuzin e lëmuar. Për ta mbajtur këtë frizurë në vend, zakonisht nevojiten produkte stilizimi ose vajrat natyrale të flokut.
Në fakt, sa më gjatë të mos jenë larë flokët, aq më mirë mund të duket kjo frizurë dhe aq më gjatë qëndron. Rrënja e yndyrshme ndihmon që flokët të rrinë të shtrirë dhe të duken më të kontrolluar.
Shiriti për flokë
Shiriti për flokë është rikthyer fuqishëm në trend dhe është bërë shumë i pranishëm edhe në rrjetet sociale. Përveçse ndihmon që balluket të qëndrojnë në vend gjatë ditëve të ngrohta, ai e fsheh shumë mirë edhe rrënjën e yndyrshme.
Mjafton ta vendosni mbi pjesën ku yndyra vërehet më shumë dhe frizura menjëherë duket më e rregullt, më e pastër dhe më e freskët.
Ndarja anash
Emily Ratajkowski i njeh mirë truket e vogla të bukurisë. Një prej tyre është edhe mënyra se si e fsheh rrënjën e yndyrshme të flokëve.
Zgjidhja është shumë e thjeshtë: ndryshoni ndarjen e flokëve. Në vend të ndarjes klasike në mes, ndani flokët më shumë anash. Kështu, pjesa e yndyrshme bëhet më pak e dukshme dhe flokët fitojnë menjëherë më shumë volum e lëvizje.
Pamja e flokëve të lagur
Stilistët e dinë mirë se asnjë veshje nuk është e plotë pa një frizurë efektive. Një nga truket që prej disa sezonesh jep rezultat është efekti “flokë të lagur”.
Ashtu si te topuzi i lëmuar, edhe këtu mund të shfrytëzohet yndyra natyrale e flokëve. Pas krehjes, mjafton të vendosni pak llak për flokë dhe, brenda pak sekondash, rrënja e yndyrshme shndërrohet në një frizurë moderne dhe me stil. /Telegrafi/