Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë lidhur me miratimin e Buxhetit për vitin 2027, duke pretenduar se ai është miratuar pas afatit ligjor të 31 tetorit.
Hoti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, buxheti duhej të miratohej brenda këtij afati.
Ai ka rikujtuar se në vitet e kaluara, kur ndonjë komunë kishte miratuar buxhetin pas afatit ligjor, Qeveria nuk e kishte përfshirë atë në buxhetin e përgjithshëm, por buxheti i saj duhej t’u nënshtrohej procedurave të veçanta të miratimit në Qeveri dhe Kuvend.
Deputeti i LDK-së e ka cilësuar të papranueshme atë që e quan shkelje të ligjit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria.
Ai ka kritikuar edhe ministrat, duke thënë se asnjëri prej tyre nuk ka guxuar ta ngrejë çështjen e shkeljes së pretenduar ligjore gjatë mbledhjes së Qeverisë.
“Me këto sjellje, kjo nuk është Qeveri dhe këta nuk janë ministra. Këta janë një grup abuzuesish me ligjin dhe Kushtetutën”, ka deklaruar Hoti.
Reagimi i plotë i Hotit, pa ndërhyrje:
Buxheti i vitit 2027 u miratua në Qeveri pas afatit ligjor, i përcaktuar më 31 tetor sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.
Në vitet e kaluara, kur ndonjë komunë e miratonte buxhetin komunal pas afatit ligjor, Qeveria nuk e përfshinte atë komunë në buxhetin e përgjithshëm. Në raste të tilla, buxheti i asaj komune duhej t’i nënshtrohej veçmas procedurave të miratimit në Qeveri dhe në Kuvend.
Është e papranueshme kjo nëpërkëmbje e ligjit nga LVV-ja dhe sejmenët e saj. Është mjerim politik të shohësh 20 ministra të mbledhur për të miratuar buxhetin, të cilët, ndonëse janë të vetëdijshëm se po bëjnë shkelje ligjore, nuk guxojnë të hapin gojën për ta konstatuar për shkelje.
Me këto sjellje, kjo nuk është Qeveri dhe këta nuk janë ministra. Këta janë një grup abuzuesish me ligjin dhe Kushtetutën.

