Luciano Spalletti i ka kërkuar Juventusit një përforcim të rëndësishëm në mesfushë, Stanislav Lobotka.
Trajneri i bardhezinjve synon të shtojë cilësi të menjëhershme në skuadër, duke kërkuar një organizator loje që sjell qetësi, inteligjencë taktike dhe lidership në ndërtimin e aksioneve.
Spalletti e njeh shumë mirë Lobotkën, i cili ishte një nga figurat kyçe te Napoli gjatë sezonit kur klubi fitoi titullin kampion dhe impresionoi në Itali.
Sipas tij, Juventusit i mungon vazhdimësia në ndërtimin e lojës, pavarësisht progresit të Manuel Locatelli, ndaj kërkohet një tjetër “tru” në mesfushë.
Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë, Lobotka, 31 vjeç, ka kontratë me Napolin deri në vitin 2027 dhe klubi nuk ka dëshirë ta shesë, aq më pak te një rival direkt.
Presidenti Aurelio De Laurentiis pritet të vendosë rezistencë të fortë, ndërsa klauzola prej rreth 25 milionë eurosh është e vlefshme kryesisht për klube jashtë Italisë.
Në praktikë, shifra për Juventusin mund të shkojë deri në 30 milionë euro.
Pavarësisht vështirësive, në Torino besojnë se investimi ia vlen për një mesfushor me përvojë dhe ndikim të menjëhershëm.
Faktor kyç mund të bëhet edhe vetë dëshira e lojtarit, nëse Lobotka shpreh hapur interes për t’u larguar, negociatat mund të marrin tjetër drejtim.
Për Spallettin, afrimi i tij nuk është luks, por domosdoshmëri.
Ai kërkon një futbollist që e njeh filozofinë e tij dhe mund të përshtatet pa kohë pritjeje.
Tashmë gjithçka varet nga tre faktorë: vendimi i lojtarit, qëndrimi i Napolit dhe aftësia negociuese e Juventusit në një operacion që pritet të jetë ndër më të ndërlikuarit e verës. /Telegrafi/