Robert Lewandowski po i afrohet një momenti vendimtar në karrierën e tij te Barcelona edhe pse ka qenë një nga shtyllat kryesore të repartit ofensiv që prej transferimit të tij, gjithnjë e më shumë po shtohen sinjalet se sulmuesi polak mund të mos vazhdojë me klubin katalanas pas përfundimit të këtij sezoni.
Me kontratën që po i afrohet fundit dhe mungesën e progresit konkret në bisedimet për rinovim, situata është bërë e hapur për çdo skenar.
Disa prej klubeve evropiane kanë nisur të shfaqin interes për një nga golashënuesit më të spikatur të dekadës së fundit, duke e konsideruar atë si një mundësi të vlefshme në afatin kalimtar.
Brenda klubit katalanas ekziston vlerësim për kontributin e tij, por njëkohësisht drejtuesit janë të vetëdijshëm për nevojën e rinovimit të skuadrës dhe uljes së kostove financiare në të ardhmen.
Në moshën 37-vjeçare, Lewandowski vazhdon të paraqitet në nivele të larta, megjithatë strategjia afatgjatë e klubit po e shtyn drejt kërkimit të alternativave të reja në sulm.
Nga ana e lojtarit nuk përjashtohet mundësia e një transferimi, një kontratë e fundit e rëndësishme dhe vazhdimi i konkurrimit në nivele të larta mbeten opsione tërheqëse për këtë fazë të karrierës së tij.
Interes konkret kanë shfaqur Milani, Atletico Madrid dhe Juventusi, të cilat synojnë të përforcojnë repartin ofensiv me një lojtar me eksperiencë dhe instinkt të theksuar për golin.
Milani e sheh si lider potencial për një projekt konkurrues në Serie A, ndërsa Atletico e konsideron si një zgjidhje të menjëhershme për rritjen e efikasitetit në sulm.
Megjithatë, aktualisht është Juventusi ai që ka marrë avantazhin në këtë garë.
Klubi nga Torino është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë të rëndësishme si në aspektin financiar ashtu edhe në kohëzgjatje, duke synuar ta bëjë atë pikën kryesore të sulmit për sezonin e ardhshëm.
Përveç aspektit ekonomik, roli qendror që i garantohet në skuadër është një faktor kyç në vendimmarrjen e lojtarit.
Në Barcelonë po përgatiten për një ndarje të mundshme, ndërsa planet për afatin kalimtar të ardhshëm përfshijnë afrimin e një sulmuesi të ri.
Nëse transferimi realizohet, largimi i Lewandowskit do të shënonte fundin e një kapitulli të rëndësishëm për klubin dhe fillimin e një faze të re në ndërtimin e repartit ofensiv. /Telegrafi/