Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për marrëdhëniet mes federatave shqiptare dhe politikën e FSHF-së në lidhje me futbollistët me origjinë shqiptare që luajnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Duka ka theksuar se futbolli duhet të shihet si konkurrencë sportive dhe jo si luftë, duke nënvizuar se nuk ka asnjë konflikt me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës apo me institucionet e saj.
Ai gjithashtu ka bërë të qartë se politika e FSHF-së ka qenë dhe do të mbetet që dyert e Kombëtares shqiptare të jenë të hapura për të gjithë futbollistët shqiptarë, pavarësisht vendit ku kanë lindur dhe janë rritur.
Duke folur për këtë çështje, Duka ka përmendur edhe rastin e Brajan Grudës, i cili vendosi të përfaqësojë Gjermaninë, ndonëse Shqipëria kishte shprehur dëshirën për ta pasur në Kombëtare.
“Shiko, nuk duhet ta ngatërroni futbollin. Futbolli është lojë, nuk është luftë. Fjala luftë në futboll ekziston vetëm për luftë sportive, për konkurrencë sportive, për ta promovuar gjithkush sa më shumë skuadrën e vet, në rastin konkret federatën e vet. Unë nuk jam në luftë as me presidentin e Federatës së Francës, as me presidentin e Federatës së Gjermanisë, as me atë të Çekisë dhe aq më pak me atë të Kosovës. Aq më pak me institucionin e Kosovës, për të cilin luftë mund të konsideroj atë që kemi bërë të gjithë ne, jo vetëm unë, por edhe paraardhësit e mi në Federatën e Futbollit dhe e gjithë federata, për të qenë dhe për të ekzistuar Federata e Kosovës edhe në kohët kur ishte me shumë vështirësi. Kjo ka qenë luftë, kurse tjetra është konkurrencë sportive”, tha ai në intervist në “Ora News”.
“Në 90 minuta padyshim që konsiderohet luftë sportive kundër çdo lloj kundërshtari, por ne jemi të gjithë për një qëllim: për të zhvilluar futbollin. Politikat e Federatës së Futbollit, për fat të mirë ose të keq, unë jam për shumë kohë aty, kanë qenë gjithmonë të tilla: dyert e hapura për të gjithë shqiptarët. Ka ndodhur gjatë kohës që jam unë që në kombëtaren shqiptare kanë luajtur shumë shqiptarë, të cilët kanë lindur dhe janë rritur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, për arsye të historisë së Shqipërisë. Kanë lindur në Kosovë, në Maqedoni apo diku tjetër. U është dhënë një shans dhe kanë pasur një mundësi më shumë për të luajtur në Shqipëri. Kjo politikë as ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë. Kjo nuk do të thotë që ne i marrim futbollistët dikujt apo i japim futbollistët dikujt. Ne u japim shans për të luajtur dhe këtë të njëjtën gjë bën edhe Kosova, të njëjtën gjë bën edhe Gjermania”, shtoi ai.
“Brajan Gruda është një djalë shqiptar, djali i Bujar Grudës, që ka luajtur me Vllazninë. Kjo do të thotë që ne jemi në luftë me Federatën gjermane? Jo. As me Federatën gjermane dhe as me familjen Gruda. Ne e duam shumë Brajanin, herë-herë bëjmë edhe tifozllëk për Gjermaninë, por e donim shumë që të vinte në Shqipëri. Ai vendosi të luajë në Gjermani dhe ne i urojmë sukses”, e mbylli Duka.

