Ish-mbrojtësi i Real Madrid dhe i kombëtares së Spanjës, Michel Salgado, ka deklaruar se Lamine Yamal zotëron një cilësi teknike të rrallë që e bën të krahasueshëm me legjendën argjentinase Lionel Messi.
Megjithëse Yamal ndodhet ende në fazat e hershme të karrierës së tij, Salgado beson se ylli i ri i Barcelonës ka treguar të njëjtën guxim dhe vetëbesim që dikur e karakterizonte Messin.
Sipas deklaratave të publikuara nga Mundo Deportivo para ndeshjes hapëse të Kupës së Botës në Mexico City, Salgado shprehu entuziazmin e tij për zhvillimin e talentit më të ri të Spanjës.
“Furia e Kuqe” bën pjesë në Grupin H së bashku me Kepin e Gjelbër, Arabinë Saudite dhe Uruguain, ndërsa do ta nisë fushatën e saj më 15 qershor kundër Kepit të Gjelbër.
Edhe pse pranoi se Messi mbetet një futbollist unik dhe i pakrahasueshëm, ish-mbrojtësi theksoi se ngjashmëritë mes dy produkteve të akademisë “La Masia” po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
“Jemi shumë kureshtarë të shohim se çfarë Lamine Yamal do të kemi në këtë Kupë Bote. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi Salgado.
“Messi është një lojtar nga një galaktikë tjetër, por është e vërtetë se ka disa paralele mes tyre. Lamine është një nga ata futbollistë që njerëzit duan t’i shohin duke luajtur”.
“Nuk ka shumë lojtarë me atë personalitet në situatat një kundër një. Madje nuk do të flisja vetëm për një kundër një, por edhe një kundër dy apo një kundër tre. Kjo është diçka që Messi e kishte”.
Salgado, i cili kaloi një dekadë te Real Madridi, vlerësoi se një nga arsyet kryesore të zhvillimit të shpejtë të të dy lojtarëve është formimi i tyre në akademinë e famshme të Barcelonës.
Ai theksoi se, ndonëse Messi mbërriti në Kataloni si fëmijë nga Argjentina, Yamal është rritur brenda kulturës së Barcelonës për një periudhë edhe më të gjatë, gjë që e ka ndihmuar të përballojë presionin e futbollit elitar pavarësisht moshës së re./Telegrafi/
