Kombëtarja e Kosovës përballet sonte me Irlandën në Dublin (ora 20:45), në xhiron e fundit të Grupit B3 në Ligën e Kombeve, ku “Dardanëve” u mjafton edhe barazimi për ta siguruar vendin e dytë dhe “play-off”-in për Ligën A, shkruan IndeksOnline.
Sipas “Transfermarkt”, skuadra e Irlandës vlen 229.30 milionë euro – rreth 107 milionë më shumë se e Kosovës (122.25 milionë). Te vendasit prin portieri Caoimhin Kelleher (32 milionë) dhe Nathan Collins (30 milionë), ndërsa te Kosova më të shtrenjtët janë Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu (nga 30 milionë euro), të ndjekur nga Edon Zhegrova (10 milionë).
Po ashtu, irlandezët renditen 23 pozita më lart në FIFA (55-ta ndaj 78-tës).
Megjithatë, ecuria në pesë ndeshjet e fundit tregon më shumë stabilitet te Kosova (1 fitore, 3 barazime, 1 humbje) krahasuar me Irlandën (1 fitore, 2 barazime, 2 humbje).
Me gjashtë pikë të grumbulluara – një më shumë se rivali – dhe triumfin 1-0 nga ndeshja e parë në Prishtinë, “Dardanët” e nisin sfidën me avantazhin e tabelës, duke e detyruar Irlandën të kërkojë fitoren me çdo kusht. /IndeksOnline/

