Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për mediumin Telegrafi, ka komentuar mundësinë e një përballjeje mes Shqipërisë dhe Kosovës në të njëjtin grup, si dhe debatet për zgjedhjet e futbollistëve shqiptarë mes dy përfaqësueseve.
Duka u shpreh se do të preferonte që dy kombëtaret të mos gjendeshin në të njëjtin grup, në mënyrë që të mos ia vështirësonin rrugën njëra-tjetrës drejt Evropianit.
“Do të ishte një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët t’i shihnin të dyja në fazën finale”, deklaroi Duka, duke shtuar se në rast të një përballjeje, secila skuadër do të synonte fitoren me respekt për tjetrën.
Ai foli edhe për çështjen e futbollistëve që zgjedhin mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se qëndrimi i tij në mbështetje të futbollit kosovar nuk ka ndryshuar.
Duka rikujtoi edhe mesazhin e dhënë më herët për Yll Gashin, duke nënvizuar se futbollistët shqiptarë, kudo që jetojnë, duhet t’i kenë dyert e hapura për të zgjedhur përfaqësuesen që dëshirojnë.
Në fund, kreu i FSHF-së theksoi se suksesi i Kosovës është gëzim për të gjithë futbollin shqiptar, ndërsa bëri thirrje për komunikim, korrektësi dhe respekt të ndërsjellë mes dy federatave./IndeksOnline/

