Salih Ahmed Hamid, 13-vjeç, nga lagjja Shuxhaije në lindje të qytetit të Gazës, nuk ka hequr dorë nga pasioni për futbollin, pavarësisht se humbi këmbën e djathtë në një sulm izraelit në vitin 2021, raporton Anadolu.
Pas sulmit, jeta e Salihut ndryshoi ndjeshëm.
Ai humbi këmbën dhe filloi të kishte vështirësi në lëvizje, ndaj nisi të përdorte protezë për të vazhduar jetën e përditshme.
Salihu, i cili kishte luajtur futboll që nga fëmijëria, nuk mundi të qëndronte larg këtij sporti edhe pas humbjes së këmbës.
Kur ka mundësi, ai mblidhet me shokët dhe luan futboll me protezën që përdor.
“Futbolli është një nga mënyrat për t’u kapur pas jetës”, tha Salihu, i cili kërkon të gjejë mënyra për të luajtur sërish futboll me protezën e tij të punuar në mënyrë artizanale.
Salihu tha se para sulmit shkonte në shkollë dhe luante futboll me shokët.
“Dikur luaja shumë mirë futboll. Tani mund të luaj vetëm në mënyrë të kufizuar me këtë protezë që përdor”, tha ai.
Duke thënë se një protezë më e mirë do t’ia rriste mundësinë e lëvizjes dhe do ta ndihmonte t’i rikthehej më shumë futbollit, Salihu tha: “Dëshira ime e vetme është të kem një protezë më të mirë dhe ta zhvilloj edhe më shumë futbollin tim”.
Babai i tij, Ahmed Hamid, tha se Salihu para sulmit shkonte në shkollë, luante me shokët dhe e vazhdonte jetën normalisht.
Ai tha se djali i tij ka nevojë për kujdes dhe trajtim të rregullt mjekësor, si dhe për një protezë të përshtatshme që do t’ia lehtësonte lëvizjen dhe jetën e përditshme.
Sipas të dhënave të UNICEF-it, më shumë se 11 mijë fëmijë në Gaza kanë nevojë për kujdes afatgjatë dhe rehabilitim për shkak të “lëndimeve të rënda që u kanë ndryshuar jetën”. /AA/