KORREKT / SOT9 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Hoxha: Drejtoresha e ISHP-së kërkon që komunikimi zyrtar të bëhet vetëm në maqedonisht, VLEN po hesht

Hoxha: Drejtoresha e ISHP-së kërkon që komunikimi zyrtar të bëhet vetëm në maqedonisht, VLEN po hesht

Mosrespektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve po shndërrohet në një trend shqetësues në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, tha sot Arijanit Hoxha nga BDI.

Ai thotë se denoncimi i fundit vjen nga burime brenda Institutit të Shëndetit Publik, ku mësohet se drejtoresha aktuale, Marija Andonovska, ka urdhëruar të gjithë sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

“Sipas informacioneve që disponojmë, drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit, përmes mesazheve telefonike, se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen më dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet vetëm në gjuhën maqedonishte.

Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?

Por, po aq shqetësuese sa këto veprime është edhe heshtja e përfaqësuesve të VLEN-it.

Përfaqësuesit e VLEN-it, përveçse po dëshmohen të paaftë për të mbrojtur gjuhën shqipe, tashmë po bëhen edhe të shurdhër përballë shkeljeve flagrante të ligjit.

Në vend që të shfrytëzojnë mekanizmat juridikë dhe institucionalë për të garantuar zbatimin e tij, ata kanë zgjedhur heshtjen dhe indiferencën.

Çfarë kuptimi ka pjesëmarrja e tyre në Qeveri nëse nuk janë në gjendje të mbrojnë as respektimin e një ligji që tashmë është në fuqi?

Heshtja e tyre nuk është më vetëm paaftësi politike, por po shndërrohet në inkurajim për të gjithë ata funksionarë që marrin guximin të shkelin ligjin.

Dhe që ironia të jetë edhe më e madhe, veprime të tilla, si rasti i Institutit të Shëndetit Publik, vijnë vetëm disa ditë pas publikimit të raportit më negativ për Maqedoninë e Veriut nga Këshilli i Evropës, ku, mes të tjerash, evidentohen shprehimisht edhe problemet me respektimin e të drejtave gjuhësore.

Në vend që ky raport të shërbente si alarm për Qeverinë, po dëshmojmë të kundërtën: funksionarë që sillen sikur qëndrojnë mbi ligjin dhe përfaqësues politikë që heshtin përballë tyre.

Prandaj, sot i drejtohemi drejtpërdrejt Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut:

Shqyrtoni me kujdes dhe vëmendje veprimet e funksionarëve tuaj, të cilët po marrin guximin të vendosen mbi ligjin!
Kërkojmë përgjegjësi konkrete për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Dhe përfundimisht, është koha që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të dalë nga strofulla e turpit dhe të fillojë të kryejë detyrën për të cilën është themeluar!

Inspektorati duhet të ndërmarrë menjëherë mbikëqyrje institucionale dhe veprimet adekuate juridike kundër të gjithë atyre që shkelin ligjin në fuqi, pa dallim funksioni apo përkatësie politike.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje dëshire dhe as objekt pazari politik. Ai është detyrim që duhet të respektohet nga të gjithë”, tha Hoxha./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.