Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se kërkesa e Aleancës për debat parlamentar lidhur me sektorin e energjisë është miratuar dhe se kjo temë do të trajtohet në seancën e së enjtes.
Tahiri ka thënë se debati do të përqendrohet në mungesën e energjisë elektrike, çmimin e rrymës, transaksionet dhe mënyrën e blerjes së energjisë, duke e cilësuar këtë çështje si njërën prej temave më të rëndësishme për vendin dhe ekonominë e Kosovës.
“E para, kërkesa e grupit tonë parlamentar, pra kërkesa e Aleancës është miratuar; të enjten do të debatojmë për energjinë. Do të debatojmë për temën më të rëndësishme sot për sot që e ka Kosova, e ajo është jo vetëm mungesa e energjisë elektrike, mirëpo edhe aspektet që ndërlidhen me çmimin e rrymës, por njëkohësisht edhe me elementet që ndërlidhen me transaksionet dhe me krejt blerjen e rrymës”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka ngritur shqetësime për shumën e shpenzuar për blerjen e energjisë elektrike gjatë viteve të qeverisjes aktuale, duke thënë se mbi 1 miliard euro për këtë qëllim duhet të jenë objekt i hetimeve dhe diskutimit parlamentar.
Sipas Tahirit, përveç hetimit nga Prokuroria, nevojitet edhe një shqyrtim parlamentar për mënyrën se si janë zhvilluar proceset e blerjes së energjisë dhe për pasojat që ato kanë në furnizimin e vendit.
“E besojmë që ajo që ka ndodhur këto vite të kësaj qeverie, pra blerja e rrymës mbi 1 miliard euro, është një çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda Prokurorisë, por edhe hetim dhe diskutim parlamentar, për shkak se është e pabesueshme që për gjashtë vjet mos me mujt me u renovu B1”, është shprehur ai.
Tahiri ka folur edhe për njësinë B1, duke pretenduar se ajo nuk është në funksion dhe se nuk pritet të hyjë në funksion as në të ardhmen. Sipas tij, kjo situatë do ta rrisë varësinë e Kosovës nga blerja e energjisë elektrike përmes tregtarëve të ndryshëm.
“E ju e dini, besoj që ajo do të dokumentohet, të paktën që B1 as nuk është në funksion dhe as nuk do të mund të hyjë në funksion në të ardhmen, dhe rrjedhimisht varësia e Kosovës për të blerë rrymë prej tregtarëve të ndryshëm do të jetë jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se çështja e energjisë nuk lidhet vetëm me furnizimin, por edhe me ndikimin që ka në ekonominë e vendit dhe në çmimet që paguajnë qytetarët.
“Tema e energjisë është tema kyçe, është tema kyçe për Kosovën, është tema kyçe për ekonominë, mbi të gjitha për çmimet e larta që janë në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.
Përveç energjisë, në seancën e së enjtes pritet të trajtohet edhe gjendja në sektorin e shëndetësisë. Tahiri ka thënë se Aleanca synon që diskutimi të përqendrohet në vështirësitë me të cilat përballen qytetarët dhe familjet gjatë kërkimit të shërbimeve shëndetësore në institucionet publike, veçanërisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ai ka vlerësuar se përballja me nevojën për trajtim në QKUK dhe kërkimi i një shërbimi shëndetësor përbëjnë një ngarkesë të madhe për familjet, ndërsa ka paralajmëruar se kjo çështje do të diskutohet edhe nga perspektiva e shërbimeve publike dhe kushteve në institucionet shëndetësore.
“Një temë tjetër po ashtu që do të trajtohet, ka të bëjë po ashtu edhe me aspektet e shëndetësisë. Në seancën e të enjtes mendojmë se ballafaqimi me QKUK-në, ballafaqimi me kërkesën e një shërbimi shëndetësor është ballafaqim me stresin më të madh që mund ta ketë një familje. Dhe këtë do ta trajtojmë prej perspektivës së shërbimit publik që ofron Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Tahiri.
Në këtë kontekst, ai ka kritikuar edhe planifikimin buxhetor për shëndetësinë, duke e cilësuar si të dobët buxhetin e projektuar për vitin 2027. Sipas tij, kushtet në sektorin shëndetësor dhe mjetet e parapara për këtë fushë do të jenë pjesë e diskutimit parlamentar.
“Por rrjedhimisht edhe prej kushteve, bukur vështirë që ndërlidhen dhe me buxhetin bukur të dobët që e ka kjo qeveri e projektuar për vitin 2027 për sektorin e shëndetësisë”, shtoi Tahiri.

