Të paktën 13 migrantë kanë humbur jetën në një incident detar pranë ishullit të Kretës, në Greqi, ndërsa 18 persona të tjerë janë shpëtuar nga ekipet e ndërhyrjes.
Sipas raportimit të Reuters, gomonia me migrantë u pikas në orët e para të së hënës nga një anije transporti me flamur maroken, rreth 15 milje detare në jug të Kretës.
Fillimisht, autoritetet greke gjetën 12 trupa në bordin e gomones dhe shpëtuan 18 persona. Një tjetër person, i cili ishte dërguar në spital pas operacionit, ndërroi jetë më vonë, duke e çuar në 13 numrin e viktimave.
Ndërkohë, të mbijetuarit u transportuan drejt bregut për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mes tyre raportohet se kishte edhe një fëmijë të vogël.
Në të njëjtën zonë detare u zhvilluan edhe operacione të tjera shpëtimi, ku u ndërhy në dy gomone të tjera që transportonin dhjetëra migrantë.
Në këto operacione u angazhuan Roja Bregdetare greke dhe agjencia evropiane e kufirit Frontex, me ndihmën e mjeteve ajrore dhe detare.
Rrethanat që çuan në vdekjen e migrantëve nuk janë bërë ende plotësisht të qarta. Sipas autoriteteve, gomonia mund të kishte qëndruar për disa ditë në det, ndërsa kushtet e vështira atmosferike kishin penguar mbërritjen e saj në breg.
Kjo tragjedi rikthen në vëmendje rrezikun e udhëtimeve të parregullta detare drejt Evropës. Greqia mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes për migrantët që largohen nga vendet e tyre për shkak të konflikteve, varfërisë dhe pasigurisë.

