Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar ashpër projektligjin për çmimet tavan, duke thënë se ai është i papërmirësueshëm përmes amendamenteve dhe se në formën aktuale do të sjellë çrregullime në treg.
Ai thekson se pas analizës së projektligjit, nuk ka hapësirë për përmirësime që do ta bënin atë funksional në kushtet e tregut të lirë.
“PROJEKTLIGJI PËR ÇMIMET TAVAN ËSHTË I PAPËRMIRËSUESHËM PËRMES AMENDAMENTEVE. Projektligji për çmimet tavan, i cili kaloi në lexim të parë me procedura të shkurtuara, është i papërmirësueshëm. Sot, me shumë kujdes e analizuam këtë projektligj për të parë nëse mund të propozohen amendamente për të evituar çrregullimet në treg që pritet të sjellë ky projektligj nëse hyn në fuqi në formatin aktual të propozuar nga Qeveria”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, masat e propozuara nuk e arrijnë qëllimin për mbrojtjen e konsumatorit.
“Vlerësimi i përgjithshëm është se asnjë amendament nuk mund ta sjellë këtë projektligj në linjë me kërkesat dhe parimet për funksionimin e tregut të lirë në kohë të krizave dhe inflacionit, sikurse që po kalojmë tani. Masat e parapara në këtë projektligj nuk do ta mbrojnë konsumatorin. Ato masa do ta dëmtojnë biznesin dhe nuk sigurojnë arritjen e qëllimit për të cilin ndërmerren”, ka deklaruar ai.
Hoti ka kritikuar edhe mungesën e debatit publik për këtë çështje.
“Nuk e kuptoj përse nuk organizohen debate publike me oda ekonomike dhe me organizata të tjera për të marrë vlerësimet e tyre. Nuk e kuptoj përse Qeveria nuk e sqaron publikisht si do të arrihet qëllimi i këtij ligji, që është mbrojtja e konsumatorit, përmes masave të parapara në këtë projektligj”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ndërhyrjet në krizë ekonomike duhet të bëhen si në anën e kërkesës ashtu edhe në atë të ofertës.
“Logjika ekonomike në situata të tilla kërkon që ndërhyrjet të jenë në të dy anët e tregut, në anën e kërkesës dhe të ofertës. Në anën e kërkesës duhet ndërmerren masa për të ruajtur grupet më të ndjeshme të qytetarëve, si: punëtorët që marrin pagën minimale, pensionistët, studentët, familjen në asistencë sociale dhe grupe të tjera të ngjashme”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se mbështetja sociale duhet të jetë e përshtatur me kohëzgjatjen e krizës.
“Mbështetja e këtyre grupeve nga buxheti i shtetit mund të jetë e njëhershme nëse kriza është e përkohshme dhe nëse çmimet stabilizohen shpejt. Nëse kriza vazhdon, atëherë mbështetja duhet të jetë e përhershme duke i indeksuar të ardhurat e këtyre grupeve për normën e inflacionit të produkteve të konsumit elementar”, ka theksuar ai.
Duke folur për anën e ofertës, Hoti ka propozuar ulje të ngarkesave tatimore.
“Në anën e ofertës duhet të intervenohet në uljen e kostos për bizneset për ofrimin e mallrave në treg. Në këtë aspekt, masë e menjëhershme është ulja e ngarkesave tatimore, siç janë TVSH dhe akciza. Duke qenë se të hyrat buxhetore rriten në kohë inflacioni për shkak të TVSH-së më të lartë që mbledh shteti, është e natyrshme që ulja e normës së TVSH të ketë efekt minimal ose zero në të hyrat buxhetore”, ka deklaruar Hoti.
Në fund, ai ka kritikuar Qeverinë për mungesë të masave alternative dhe ka përmendur edhe praktika evropiane.
“Prandaj, mungesa e masave të tilla nga ana e Qeverisë së Kosovës është e pakuptueshme se kujt i shërben. Disa nga këto masa janë ndërmarrë nga vendet evropiane. Shembulli më i fundit ishte Gjermania”, ka shkruar ai. /Telegrafi/