Dy tifozë të Portos janë arrestuar nga policia spanjolle, nën dyshimin se kanë sulmuar një punonjës të sigurisë në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas, para ndeshjes ndaj Real Betisit në Ligën e Kampionëve.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, incidenti ndodhi pranë hyrjes numër 12 të stadiumit, e rezervuar për tifozët mysafirë.
Një grup tifozësh portugezë dyshohet se kishin fyer policinë, ndërsa punonjësit e sigurisë krijuan një kordon për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Situata u përkeqësua kur një tifoz tentoi të kalonte pa biletë përmes rrotullave të hyrjes. Një punonjës i sigurisë e ndoqi, por një tjetër tifoz dyshohet se e goditi me grusht, duke e rrëzuar përtokë dhe duke i shkaktuar humbjen e vetëdijes.
Si pasojë e incidentit, punonjësi pësoi frakturë të nofullës. Sipas raportimeve, ai u godit edhe me shqelma ndërsa ndodhej në tokë. Dy të dyshuarit u arrestuan nga policia dhe pritej të paraqiteshin para gjykatës të premten.
Incidentet nuk përfunduan në stadium. Disa tifozë të Portos dyshohet se shkaktuan dëme edhe në lokalin “Amanecer Country Mex”, në qendër të Sevillas, përpara ndeshjes me Betisin.
Pronari i lokalit, Ángel Galván, deklaroi se tifozët dëmtuan ambientet, hodhën shishe, gota dhe karrige, si dhe u larguan pa paguar një faturë që tejkalonte 100 euro.
Gjatë përleshjeve, pronari pësoi një prerje në mjekër dhe një lëndim në kokë. Dëmet materiale përfshinë dhjetëra gota të thyera, një dritare të dëmtuar dhe një kompjuter.
Për shkak të dëmeve dhe shqetësimeve për sigurinë, lokali u detyrua të mos funksiononte normalisht atë mbrëmje.
Ngjarjet ndodhën para ndeshjes së së mërkurës, më 14 tetor, në të cilën Real Betisi e mposhti Porton me rezultatin 3-2 në Ligën e Kampionëve. /Zëri

