Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave të tij për nevojën e takimeve të reja mes partive lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka deklaruar se nuk ka një emër të ri për presidentin dhe se LVV-ja vazhdon t’i qëndrojë marrëveshjes politike dhe kandidaturës së Bekim Sejdiut.
Hoti ka vënë në pikëpyetje thirrjen në marrëveshje politike, duke iu referuar edhe tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president.
“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?!”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se marrëveshja mes dy kryetarëve të partive nuk mund të jetë detyruese për deputetët.
“Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit”, ka deklaruar Hoti.
Hoti ka thënë se deputetët nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi dhe se marrëveshjet politike mund të ndryshohen.
“Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim ‘zgjedhjet e reja’ në vend të nënshtrimit politik”, ka shkruar ai.
Në fund, Hoti ka theksuar se marrëveshjet politike mund të negociohen, por jo Kushtetuta e Kosovës. /Telegrafi/