Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se partitë politike duhet të gjejnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ajo ka lidhur nevojën për stabilitet institucional edhe me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Haxhiu tha se zgjedhjet e reja nuk do t’i ndihmonin as Kosovës dhe as ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Këto deklarata Haxhiu i bëri pas mbledhjes së parë të kryesisë së Kuvendit, të legjislaturës së re.
“Deri më 6 tetor, ne duhet ta zgjedhim presidentin, nëse nuk e zgjedhim atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Është shumë e rëndësishme, sidomos për shkak të situatës që kemi, sidomos të reformave që synojmë t’i shtyjmë përpara, që secili prej nesh të jap kontribut që të mos e dërgoj vendin në zgjedhje, sidomos kur flasim për procesin në Hagë, nuk i ndihmojmë as Republikës, as qytetarëve që në mënyrë paqësore po protestojnë, por as atyre që janë në Hagë, nëse ne me vetëdije të plotë pa asnjë kokëçarje e dërgojmë vendin në zgjedhje. Mendoj që ka hapësirë që të bëhemi bashkë dhe ta procedojmë një emër për president”, tha ajo.
Përveç mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, Haxhiu foli edhe për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ajo shprehu shqetësime për mënyrën se si Kushtetuesja ka interpretuar çështjet që lidhen me funksionimin e institucioneve, duke pretenduar se në disa raste ka krijuar norma të reja.
Sipas Haxhiut, roli i Gjykatës Kushtetuese është interpretimi i Kushtetutës dhe jo krijimi i normave të reja.
“Gjykata Kushtetuese çuditërisht hoqi dorë nga një aktgjykim i saj. Mesa e di e njëjta gjyqtare raportuese. Ajo çka mua më shqetëson në këtë drejtim, është se kemi Gjykatën Kushtetuese që krijon norma të reja, nuk është mandati i saj në respekt të pavarësisë së gjykatës, por ju e dini shumë mirë që roli i gjykatës është të interpretoj kushtetutën, jo të krijoj norma të reja. T’i rikthehemi vitit të kaluar, gjykata pat thënë që kryetari i kuvendit nuk mund të propozohet më shumë se tre herë, kjo nuk shkruan askund në kushtetutë. Po ashtu ka thënë se votimi duhet të jetë i hapur, as kjo nuk shkruan apo që konstitutimi i kuvendit duhet të bëhet brenda 30 ditëve, dhe këtu ju lutem të keni vëmendjen, nëse presidenti e fton seancën konstituive në ditën e 30, pra deputetët vetëm atë ditë e kanë për ta konstituuar”, tha ajo.
Haxhiu tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’ua “bëjë qejfin” partive politike, duke kërkuar që vendimet e saj të jenë pjesë e debatit publik.
“Unë si kryetare të një institucioni të rëndësishëm, jam shumë e shqetësuar në raport me mënyrën se si i trajton gjykata lëndët. Nuk është Gjykata Kushtetuese institucion që duhet t’ua bëjë qejfin partive politike. Nëse ne kemi gabuar thuaje. Po ja bëj pak qejfin VV e PDK, këtu po e mbylli syrin, këtu po e hapi. Kjo është çështje shumë serioze. Nuk guxojmë të lejojmë që vendime të tilla të shkojnë pa debat. Kam parë edhe debate nga juristë e ekspert, prandaj pavarësisht se gjykata ka konsideruar se kuvendi është konstituar e qeveria në përputhje, unë jam shumë e shqetësuar në raport me qasjen e saj. Përgjegjësia e saj është vetëm të interpretoj kushtetutën”, tha Haxhiu.