Legjenda e Francës, Frank Leboeuf, ka vënë në pikëpyetje interesimin e Barcelonës për Julian Alvarezin, duke sugjeruar që klubi katalunas t’i drejtojë paratë e planifikuara për argjentinasin te Victor Osimheni.
Duke folur për ESPN, Leboeuf ka thënë se nuk e kupton pse Barcelona është kaq e fokusuar te transferimi i Alvarezit, kur në treg është një sulmues i nivelit të Osimhenit.
“E shoh Barcelonën duke vrapuar pas Julian Alvarezit dhe pyes veten pse nuk po mendojnë për Victor Osimhenin. Osimheni do të ishte i mirë për Barcelonën, por edhe për Arsenalin”.
“Çdo klub që e merr Osimhenin do të sigurojë një sulmues të nivelit të lartë. Nëse do të isha Barcelona, do t’i përdorja paratë e Alvarezit për të marrë Osimhenin”, ka deklaruar Leboeuf.
Ish-mbrojtësi francez ka ngritur gjithashtu pikëpyetje se pse klubet e mëdha nuk kanë bërë më herët një lëvizje konkrete për sulmuesin nigerian.
Osimheni aktualisht është pjesë e Galatasarayt, ndërsa klubi turk raportohet se do të ishte i gatshëm ta shiste në rast të një oferte mbi 100 milionë euro. /Telegrafi/
