KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Ekonomisti Sefa: Dëmtimi i bizneseve është goditje e rëndë për sistemin ekonomik

Ekonomisti Sefa: Dëmtimi i bizneseve është goditje e rëndë për sistemin ekonomik

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, dënoi aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në dhunshme, duke theksuar se pasojat e tyre prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Sipas Sefës, çdo formë dhune është e papranueshme, veçanërisht kur ajo ushtrohet ndaj pronës.

Ai nënvizoi se prona publike nuk i përket qeverisë së radhës, por qytetarëve shqiptarë, ndërsa dëmtimi i saj përkthehet në kosto për të gjithë shoqërinë.

“Qeveritë ndryshojnë, por prona publike mbetet e qytetarëve. Çdo dëm ndaj saj është një dëm që na prek të gjithëve”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te bizneset private, Sefa theksoi se Shqipëria ka kryesisht biznese familjare dhe të vogla, të cilat mbajnë një numër të madh familjesh.

Për këtë arsye, sulmet ndaj tyre përbëjnë një goditje serioze për ekonominë dhe nuk kanë lidhje me debatet politike apo me qeverisjen.

Ai ngriti dyshime se goditjet ndaj disa bizneseve dhe pikave strategjike të kryeqytetit mund të mos kenë qenë të rastësishme, duke përmendur zona si Zogu i Zi, 21 Dhjetori dhe Bryli.

Sipas tij, këto nuk janë vetëm nyje të lëvizjes së qytetarëve, por edhe pika kyçe për qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve.

Ekonomisti paralajmëroi se bllokimi i këtyre zonave mund të sjellë vështirësi në furnizimin e tregut, sidomos në një ekonomi që mbështetet në importet për një pjesë të konsiderueshme të produkteve bazë.

Një shqetësim tjetër i ngritur prej tij ishte dëmtimi i sistemit financiar. Sefa tha se bankat, ATM-të dhe infrastruktura financiare janë jetike për qytetarët, pasi përmes tyre shpërndahen pagat, pensionet dhe ndihmat ekonomike.

Sipas tij, nëse sulmet do të kishin ndodhur në fund të muajit ose në fillim të muajit pasardhës, situata mund të ishte bërë shumë më problematike për familjet shqiptare.

Ai paralajmëroi se dëmtimi i ATM-ve dhe përhapja e pasigurisë mund të krijojnë panik mes qytetarëve, duke nxitur tërheqje masive të parave dhe pasoja negative për ekonominë.

“Frika dhe paniku janë rreziku më i madh në raste të tilla. Një valë tërheqjesh të depozitave mund të krijojë efekte regresive në ekonomi, që kërkojnë muaj për t’u rikuperuar”, deklaroi ai.

Megjithatë, Sefa pranoi se pakënaqësitë sociale dhe ekonomike ekzistojnë dhe janë reale.

Ai vuri në dukje se Tirana ka përjetuar një nga ritmet më të larta të rritjes së kostos së jetesës në rajon dhe se blerja e një banese është bërë gjithnjë e më e vështirë për çiftet e reja.

Pavarësisht këtyre problemeve, ekonomisti argumentoi se dëmtimi i pronës private nuk është një mënyrë logjike për të ushtruar presion ndaj qeverisë.

“Nëse dikush ka një problem me qeverinë, nuk mund ta zgjidhë duke dëmtuar bizneset e vogla që janë ngritur me mund e sakrificë. Këta njerëz janë taksapagues të rregullt dhe nuk kanë lidhje me vendimmarrjen politike. Nuk e kuptoj logjikën e dëmtimit të pronës së tyre”, përfundoi Sefa./rtsh

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.