Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, duke theksuar se trupat britanike hynë përmes Hanit të Elezit si pjesë e misionit të autorizuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Hargreaves tha se politikat e Sllobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar në Kosovë, ndërsa qindra mijëra shqiptarë u detyruan të largoheshin nga vendi ose u zhvendosën brenda Kosovës.
Sipas tij, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, kishte shprehur vazhdimisht shqetësim për situatën e rëndë humanitare, ndërsa refuzimi i përpjekjeve për paqe nga Miloševići, sipas Hargreaves, çoi drejt fushatës ajrore të NATO-s dhe ndërhyrjes së saj në Kosovë në vitin 1999.
“Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që nga ajo kohë”, tha ambasadori, duke ritheksuar mbështetjen britanike për drejtësinë ndërkombëtare, llogaridhënien dhe respektimin e vendimeve të tribunaleve ndërkombëtare.
Ai u ndal edhe te Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se Kosova kishte marrë një vendim të vështirë për krijimin dhe mbështetjen e tyre, duke qenë e vetëdijshme se ato mund të hetonin figura të njohura të organizatave që kishin rol qendror në luftën çlirimtare.
Sipas Hargreaves, gatishmëria e Kosovës për të mbështetur parimin se askush nuk është mbi ligjin përbën një shembull të rëndësishëm edhe për rajonin.
Duke folur për aktgjykimet e fundit të Dhomave të Specializuara, ambasadori britanik theksoi se ato kanë të bëjnë me përgjegjësi individuale dhe jo me shtetin e Kosovës.
“Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për ta përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm”, tha Hargreaves.
Ai kujtoi gjithashtu se personat e dënuar kanë të drejtë t’i apelojnë aktgjykimet.
Qëndrimi i Hargreaves është në përputhje me deklaratën zyrtare të Qeverisë britanike pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara më 16 shtator 2026, kur Londra theksoi se vendimet kanë të bëjnë me individë dhe nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për ta përcaktuar të ardhmen e saj.
Në fund, ambasadori tha se Britania e Madhe mbetet e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit afatgjatë, duke paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjitha komunitetet./Telegrafi.