Është hapur zyrtarisht “Beauty Fair Kosova 2026”, një nga ngjarjet më të reja që po sjell në Kosovë industrinë e bukurisë, estetikës dhe kujdesit për mirëqenie në një platformë të vetme.
Për herë të parë në Kosovë, industria e bukurisë, estetikës dhe mirëqenies fizike po prezantohet përmes një panairi të dedikuar, me organizimin e “Beauty Fair Kosova 2026”, i cili është hapur sot dhe do të vazhdojë edhe më 25 dhe 26 prill në Sallën e Panaireve në Prishtina Mall, duke mbledhur rreth 50 brende vendore dhe ndërkombëtare.
Panairi është i hapur për vizitorë nga ora 13:00 deri në 22:00. Në mesin e pjesëmarrësve janë klinika estetike, kompani kozmetike, sallone bukurie dhe furnizues të teknologjive estetike, të cilët po prezantojnë risitë dhe trendet më të fundit të industrisë.
Foto: Telegrafi
Përveç pjesës ekspozuese, një nga pikat kryesore të këtij edicioni është organizimi i Beauty Kongresit, i cili sjell ekspertë të fushës për diskutime profesionale, duke e kthyer eventin jo vetëm në një panair prezantues, por edhe në një hapësirë shkëmbimi njohurish dhe përvojash.
Foto: Telegrafi
Gjatë tri ditëve, vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin demonstrime live, aktivitete promovuese dhe të njihen nga afër me produktet dhe shërbimet më të reja në treg. Pritet që panairi të tërheqë dhjetëra mijëra vizitorë, duke u shndërruar në një pikë të rëndësishme referimi për industrinë e bukurisë në vend.
Foto: Telegrafi
Me ambicien për t’u bërë një ngjarje tradicionale, Beauty Fair Kosova synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për bizneset dhe profesionistët e sektorit, ndërsa në të ardhmen janë paralajmëruar edhe iniciativa të reja, përfshirë lansimin e një reviste të dedikuar për këtë industri.