Albian Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të Kosovës për ndeshjen ndaj Austrisë, e cila zhvillohet sot në Vjenë në kuadër të xhiros së dytë të Ligës B, Grupi 3 të Ligës së Kombeve.
Sipas listës zyrtare të publikuar në platformën e UEFA-s për ndeshjen Austri – Kosovë, Hajdari nuk figuron në mesin e 23 futbollistëve me të drejtë loje për këtë përballje.
Mungesa e tij është një lajm i keq për përzgjedhësin Franco Foda, pasi mbrojtësi i Hoffenheimit ishte titullar në ndeshjen e parë të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve, në fitoren 1-0 ndaj Republikës së Irlandës.
Në atë takim, Hajdari luajti në qendrën e mbrojtjes në formacionin startues të Dardanëve.
Arsyet zyrtare të mungesës së Hajdarit nuk janë bërë ende të ditura.
Megjithatë, një ditë para ndeshjes, Hajdari ishte parë duke u stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës, së bashku me Edon Zhegrovën.
Të dy futbollistët kishin zhvilluar vetëm vrapime të lehta për shkak të shqetësimeve të pësuara në ndeshjen ndaj Irlandës.
Jashtë listës janë lënë edhe Muharrem Jashari, Meritoni, Korenica dhe Lindon Emërllahu./Telegrafi/