Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj 23 zyrtarëve policorë, përfshirë A K, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti gjatë shërbimit në pikën kufitare “Qafë Morinë”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, nga gushti i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, të akuzuarit dyshohet se kanë marrë para nga qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë, në këmbim të lejimit të hyrjes në territorin e Kosovës, pa verifikuar nëse ata i plotësonin kushtet e kërkuara për kalim kufitar.
Prokuroria pretendon se veprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim me rregullat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, si dhe me masat e vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të marrjes së ryshfetit, individualisht ose në bashkëkryerje. Ndërkaq, A K, A H, M B, I T, I D dhe F S akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në mesin e provave të përfshira në aktakuzë janë video-incizimet dhe komunikimet, të cilat sipas Prokurorisë mbështesin pretendimet për veprimtarinë e kundërligjshme.
Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

