Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka biseduar këtë mëngjes me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.
Dhe biseda e tyre erdhi pak orë para se i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, do të zhvillojë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Oslo, të martën.
Takimi organizohet nga Norvegjia dhe Finlanda, si pjesë e përpjekjeve të reja diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zelensky dhe Rubio u përqendruan në “çështje që kanë rëndësi”, tha lideri ukrainas në një postim në internet.
E para thuhet se ishte rreth sistemeve për “kapjen” e raketave balistike.
Siç vënë në pah mediat, Ukraina prej muajsh përballet me një mungesë kritike të këtyre sistemeve, gjë që e lë atë të pambrojtur ndaj sulmeve me raketa ruse.
E dyta, siç thuhet më tej, ishte paralajmërimi i hershëm për sulmet ruse – gjë të cilën Zelensky e përshkroi si “jetike”.
Pas raportimeve se SHBA-ja kishte kufizuar shkëmbimin e informacioneve të zbulimit, Kievi filloi të raportonte se aleatët kishin ndaluar paralajmërimet për sulmet e ardhshme ruse.
Dëshmitarë në kryeqytet thanë se sirenat dëgjoheshin vetëm pasi ndodhnin goditjet.
Megjithatë, Uashingtoni ka deklaruar se shkëmbimi i informacioneve të zbulimit vazhdon.
Dhe e treta, bëjnë të ditur mediat, situata me Starlink/Starshield.
Lidhur me këtë, Zelensky kishte deklaruar më parë se vazhdonte të mungonte qasja e pakufizuar në sistemin jetik Starlink/Starshield, i cili është thelbësor për mbrojtjen dhe operacionet sulmuese të Ukrainës.
Veç këtyre, raportojnë mediat, Zelensky përsëriti dëshirën e Ukrainës për paqe, por nuk përmendi ndonjë përparim apo marrëveshje të arritur gjatë bisedimeve.
Në vend të kësaj, ai tha se të dy do të bisedojnë sërish së shpejti.
Në mënyrë domethënëse, Zelensky e mbylli me fjalët: “Faleminderit të gjithëve në Amerikë që mbështesin qasje të drejta!”. /Telegrafi/

