Kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot deklaroi se në periudhën e kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80.000 euro për subjekte juridike që kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme me mbeturinat. Sipas tij, për luftë më efikase kundër deponimit të egër është e domosdoshme formimi i policisë komunale.
Duke iu përgjigjur pyetjes për ndalimin e hedhjes së mbeturinave pas orës 22, Gjorgjievski tha se Inspektorati i Qytetit i kryen kompetencat e veta, por se sistemi ekzistues ka kufizime.
Ai theksoi se një pjesë e qytetarëve mendojnë se u del më lirë të paguajnë gjobën sesa ta hedhin siç duhet mbeturinën e madhe në “Drisla”. Për këtë arsye, Qyteti planifikon një herë në javë të mundësojë hedhje falas të mbeturinave të mëdha për të gjithë banorët e Shkupit.
Gjorgjievski vlerësoi se problemin me deponimin e egër e krijojnë një numër i vogël qytetarësh dhe kompanish të papërgjegjshme, të cilët mobilje të vjetra dhe mbeturina të tjera i lënë pranë kontejnerëve, në parqe dhe në bulevarde.
Ai theksoi se në luftën kundër hedhjes së paligjshme të mbeturinave janë të përfshira edhe komunat e Shkupit, duke shtuar se me qasje të koordinuar mund të arrihen rezultate më të mira.
Kryetari shtoi se të dhënat e detajuara për gjobat e shqiptuara janë të qasshme përmes inspektoratit të qytetit.