Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kërkuar ndryshim të politikave ekonomike në vend, duke kritikuar Qeverinë për, siç ka thënë ai, “barrën e lartë tatimore” ndaj qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka thënë se kostoja e jetesës është rritur, ndërsa një pjesë e madhe e konsumit të qytetarëve vazhdon të tatohet me normën standarde të TVSH-së prej 18 për qind.
“Realiteti i sotëm në Kosovë flet me shifra që kërkojnë një kthesë të qartë nga politikat ekonomike të kësaj qeverie ultra të majtë. Qytetari përballet me kosto gjithnjë e më të lartë të jetesës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e konsumit të tij vazhdon të tatohet me normën standarde të TVSH-së prej 18%”, ka shkruar Gjini.
Ai ka krahasuar normat e TVSH-së për produktet ushqimore në disa vende evropiane, duke thënë se shtete si Malta, Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania aplikojnë norma të reduktuara për kategori të ndryshme të produkteve bazë.
Gjini ka marrë si shembull një familje me të ardhura mujore prej 800 eurosh, duke pretenduar se ulja e TVSH-së do të ndikonte në kursimin e një shume të konsiderueshme vjetore.
“Nëse marrim si shembull një familje me 800 euro buxhet mujor dhe supozojmë se e gjithë kjo shumë shpenzohet në produkte me TVSH 18%, ajo familje paguan rreth 122 euro në muaj vetëm TVSH. Ndërsa me një normë prej 7%, për të njëjtën vlerë konsum, pagesa e TVSH-së do të ishte vetëm 52 euro. Pra, një familje me ato të ardhura i kursen 70 euro në muaj, ose rreth 840 euro në vit”, ka deklaruar ai.
Kryetari i AAK-së ka kritikuar edhe politikat e mbështetjes financiare nga Qeveria, duke i cilësuar si të pamjaftueshme krahasuar me barrën tatimore që, sipas tij, përballojnë qytetarët.
“Për një familje me të ardhura të ulëta me 800 euro në muaj, 840 euro në vit janë disafish më shumë se ‘ndihmat’ që i jep qeveria prej 100 euro dhe atë pasi e ka ‘mazitur’ buxhetin”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se AAK kundërshton një ekonomi të bazuar në konsum afatshkurtër dhe ka prezantuar disa nga propozimet e kësaj partie për reformën ekonomike.
“Reforma jonë ekonomike përfshin rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, për të lehtësuar bizneset dhe prodhuesit e vegjël, uljen e TVSH-së për sektorin e ushqimit, duke e afruar me praktikat e vendeve evropiane, si dhe heqjen ose uljen në minimum të TVSH-së për produktet e higjienës për gratë dhe fëmijët”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, përmirësimi ekonomik duhet të ndihet drejtpërdrejt nga familjet kosovare.
“Nuk mjafton të flasim për statistika makroekonomike nëse familja nuk e ndjen përmirësimin në portofolin e saj. Ndryshimi i politikave ekonomike nuk është më luks, është mbijetesë”, ka përfunduar Gjini. /Telegrafi/
