Gjermania po përgatit një plan të ri sigurie, të quajtur “mburoja mbrojtëse”, për të parandaluar dhe neutralizuar sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet me dronë, në një kohë kur Berlini akuzon Rusinë për intensifikimin e luftës hibride në territorin evropian.
Sipas gazetës gjermane Bild, plani parashikon krijimin e një rrjeti të ri të mbrojtjes digjitale, të quajtur “Cyberdome”, i cili do të përbëhet nga sensorë të avancuar që synojnë të zbulojnë dhe pengojnë përpjekjet për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se sulmet hibride ruse janë kthyer në një “realitet të përditshëm” dhe se kërcënimi pritet të rritet. Megjithatë, ai theksoi se Gjermania ka mundësi për t’u mbrojtur dhe për të reaguar ndaj këtyre kërcënimeve.
Një tjetër pjesë e planit lidhet me forcimin e mbrojtjes kundër dronëve. Policia gjermane pritet të zgjerojë kapacitetet e saj të lëvizshme dhe të krijojë njësi që mund të dislokohen me shpejtësi në qytete strategjike si Berlini, Mynihu dhe Hamburgu.
Këto njësi do të kenë për detyrë të mbrojnë hapësirën ajrore mbi qendrat kryesore të transportit, përfshirë aeroportet dhe infrastruktura të tjera kritike, transmeton Telegrafi.
Gjermania synon gjithashtu të përdorë më gjerësisht inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në sulme ose sabotime.
Sipas raportimit, kompanive private do t’u jepeshin gjithashtu më shumë mundësi për të zbuluar dronët dhe për të ndërmarrë masa aktive mbrojtëse ndaj tyre.
Plani vjen pas incidentit të rëndë në aeroportin Leipzig/Halle, ku më 4 gusht u gjet një dron i pajisur me eksplozivë. Aeroporti, një prej qendrave kryesore të transportit të mallrave në Gjermani, u detyrua të mbyllte përkohësisht pistat dhe të devijonte fluturimet.
Qeveria gjermane e ka akuzuar zyrtarisht Moskën për sulmin e dyshuar hibrid.
Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul deklaroi se Gjermania do të ndërmarrë masa ndaj Rusisë si përgjegjëse për incidentin. Berlini ka vendosur gjithashtu të mbyllë konsullatën e përgjithshme ruse në Bon deri më 18 shtator, të forcojë kontrollet kufitare ndaj shtetasve rusë dhe të rrisë presionin ndaj të ashtuquajturës “flotë fantazmë” të Rusisë.
Moska i ka mohuar kategorikisht akuzat. Ambasadori rus në Berlin, Sergey Nechayev, i cilësoi pretendimet gjermane si “të pabazuara dhe absurde”, duke paralajmëruar se masat e Berlinit përbëjnë një përshkallëzim të paprecedentë në marrëdhëniet ruso-gjermane dhe se nuk do të mbeten pa pasoja.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur solidaritet të plotë me Gjermaninë, duke thënë se incidenti në Leipzig përfshinte materiale të nivelit ushtarak dhe, sipas saj, ishte kryer nga operativë rusë në territorin e Bashkimit Evropian.
Mesazhi i saj ishte i qartë: nëse qëllimi i sulmit ishte që Evropa të mendohej dy herë përpara se të vazhdonte mbështetjen për Ukrainën, efekti ka qenë i kundërt.
Me “Cyberdome”, mbrojtjen kundër dronëve, inteligjencën artificiale dhe një rol më të madh për kompanitë private, Gjermania po përgatitet për një realitet të ri sigurie, ku kërcënimi nuk vjen domosdoshmërisht nga një sulm tradicional ushtarak, por nga sabotimi, sulmet kibernetike dhe operacionet e fshehta në zemër të Evropës. /Telegrafi/